
Universiteti i Tiranës dhe Programi i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri kanë hartuar së fundmi Dokumentin e Politikës dhe Procedurave për Eliminimin e Dhunës, Ngacmimit dhe Ngacmimit Seksual. Edlira Papavangjeli, menaxhere programi, nga PNUD-i, tha në studion e MCN TV, se shtysë për këtë dokument u bë një raport i INSTAT-it për ngacmimet seksuale.
Morëm shkas nga raporti i INSTAT për prevalencën e dhunës, ku dolën të dhëna lidhur me dhunën përtej asaj në familje. Dolën përqindje të konsiderueshme të grave dhe vajzave që përgjatë viteve janë përballur me ngacmime seksuale në vendin e punës apo në një mjedis publik.
Mbi 18% të grave dhe vajzave të intervistuara kanë pohuar që kanë përjetuar një formë të caktuar të ngacmimit seksual. Duke qenë se ngacmimi seksual mbetet ende tabu, është e vështirë të raportohen.
Papavangjeli tha se ky është dokumenti i parë për Universitetin e Tiranës dhe ka për objektiv të krijojë kuadrin rregullativ.
Dokumenti përcakton strukturat që duhet të trajtojnë këto lloj formash të ngacmimit seksual. Ne në vitet e fundit, duke pasur parasysh këtë lloj shqetësimi, ne kemi punuar me disa institucione publike.
Është punuar me shumë institucione që të arrihet përpjekje për të krijuar mjedis të sigurt, ku edhe nëse ka raste, viktimat të dinë si të mbrohen.



