
Një punonjës policie është pezulluar nga detyra pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga provat materiale të sekuestruara 5.5 milion lekë.
Sipas SHÇBA-së, ngjarja ka ndodhur në vitin 2006, kur punonjësi i identifikuar si K.Ç specialist pranë Sektorit të Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore Gjyqësore ka vjedhur shumën prej 5.5 milionë lekësh, të cilën e ka shfrytëzuar për qëllime personale.
Shuma monetare ishte e sekuestruar në cilësinë e provës materiale, në kuadër të një procedimit penal.
Ndërkohë është provuar se punonjësi i policisë, me dashje nuk ka zbatuar detyrimet që rrjedhin nga Kodi i Procedurës Penale për dispononim e provës materiale mbi kthimin e sendeve, pronarëve të ligjshëm, të cilëve iu ishin sekuestruar në kuadër të hetimit.
Po ashtu, ky punonjës policie nuk ka përmbushur detyrimet për zbatimin e vendimit të gjykatës për kthimin e sendeve të sekuestruara.
Gjithashtu SHÇBA bënë me dije se hetimet po vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes.



