Është identifikuar terroristi që ekzekutoi të enjten në mbrëmje në qendër të Parisit një polic dhe ka plagosur dy të tjerë.
Sipas mediave vendase ai është 39-vjeçari Karim Cheurfi, i cili u vra pas sulmit, i njohur me pseudonimi Abu Yusuf al-Beljiki, lindur në paralagjen e Parisit Livry-Gargan, ka jetuar në paralagjen tjetër të Parisit Chelles, Seine-et-Marne.
Cheurfi ka qenë i njohur për autoritetet pasi që në vitin 2003 ka qenë i dënuar me 20 vjet burgim për shkak të sulmit ndaj policëve, por në vitin 2005, dënimi iu zvogëlua në 15 vjet e nga burgu u lirua edhe më herët.
Cheufri, atëbotë 23 vjeç, ia kishte rrëmbyer revolen policit dhe kishte shtënë tri herë në mushkëri e këmbë të tij e kishte hapur zjarr edhe ndaj policëve të tjerë. Veç kësaj, ai ishte i njohur edhe për aksionet e dhunshme plaçkitëse pas të cilave arrestohej nga policia.
Po ashtu, sipas raporteve të policisë vendase, Cheufri ishte ekstremist i rrezikshëm.
ISIS ka marrë përgjegjësinë se sulmi është akt i tij.
Ndërkohë zëdhënësi i Ministrisë franceze të Punëve të Brendshme, Pierre-Henry Brandet, ka deklaruar se policët e plagosur nuk janë në rrezik për jetën.



