Ish-deputeti Hisen Berisha komentoi në studion e MCN zhvillimet politike përgjatë vitit 2025 në Kosovë. Ai tha se përgjatë vitit që po lëmë pas u shënuan hapa pas në disa aspekte.
Viti 2025 ka qenë një vit i mbrapshtë. Pritshmëritë e mia edhe për vitin që vjen janë po aty. Ishte një vit i mbrapshtë, nuk ishte një vit reformash. Ishte një vit bllokade institucionale, një degradim kushtetues. Kemi pasur një izolim ndërkombëtar. Ishte një vit kur politika prodhoi më shumë krizë sesa ofroi zgjidhje. Ajo që vërtet prodhoi qeverisja Kurti në vitin 2025 ishte bllokada e paprecedentë institucionale. Qeverisja në detyrë ka qenë e penalizuar ndërkombëtarisht dhe shkeljet kanë vazhduar. Kemi pasur mosrespektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Besimi i qytetarëve në rendin juridik ka rënë. Është përcjellë mesazhi se ligjet zbatohen vetëm kur ka interes partiak. Kjo e ka ekspozuar Kosovën në rrafshin ndërkombëtar.
Sa u takon njohjeve nuk ka pasur ndonjë progres të madh. Mendoj se ishte një ndër vitet më të vështira për Kosovën.



