Policia e Tiranës ka goditur një rrjet të mirëfilltë prostitucioni, i cili e zhvillonte aktivitetin e tij në mes të kryeqytetit. Mësohet se në pranga janë vënë 10 persona, ndërsa tre të tjerë janë proceduar penalisht.
Në kuadër të operacionit "Taksi e lirë", në pranga janë vënë Ruzhdi Gapi, 41 vjeç; Edmond Shkalla, 49 vjeç; Albina Kasa, 26 vjeç; A. Ndoja, 37 vjeç; Jani Murati (Gëzim Kasëmi), 59 vjeç; Altin Sulejmanasi, 44 vjeç; Elton Mimini, 23 vjeç; A.L., 44 vjeçe; F.P., 32 vjeçe, të gjithë banues në Tiranë, si edhe .D, 42 vjeç dhe akuzohen për shfrytëzim prostitucioni.
Po ashtu, mësohet se janë proceduar penalisht D.D., 25 vjeçe, lindur në Tropojë dhe banuese në Tiranë, e padënuar më parë; L.K., 25 vjeçe, lindur dhe banuese në Tiranë, e padënuar më parë, B.C., 39 vjeçe, lindur dhe banuese në Tiranë, e padënuar më parë.
Operacioni për goditjen e këtij grupi të strukturuar kriminal, u finalizua nga Seksioni për Trafiqet e Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, mbas një hetimi 5-mujor me metoda speciale në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Të arrestuarit në flagrancë në kuadër të operacionit dyshohen si autorë të veprave penale si: “Shfrytëzim të prostitucionit”, “Mbajtje dhe vënie ne përdorim te ambienteve për prostitucion”, “Prodhim dhe shitje të narkotikeve” si dhe “Prostitucionit”.
Në kuadër të procedimit penal viti 2017, është bërë e mundur të dokumentohet veprimtaria kriminale e shtetasve të sipërpërmendur, të cilët në kohë dhe vende të ndryshme në qytetin e Tiranës, kanë shfrytëzuar, ndërmjetësuar dhe marrë pagesa për prostitucion, që shkonin nga 50 deri 150 euro.
Organizatorët në këtë aktivitet - Albina Kasaj, Jani Murati (alias Gëzim Kasëmi), Ruzhdi Gapi, Edmond Shkalla, Altin Sulejmanasi dhe Elton Mimini, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shfrytëzuar për prostitucion vajza të moshave të ndryshme, për të ushtruar prostitucion me klientët e gjetur prej organizatorëve.
Aktiviteti kriminal lehtësohej nëpërmjet aktivitetit si taksist të Ruzhdi Gapi dhe Gëzim Kasëmi, duke bërë të mundur transportimin e vajzave, që ushtronin prostitucion, në hotele dhe ambiente që njehsohen me to, të tilla si ambienti “Hotel” pranë kryqëzimit të “Tregut elektrik”, në pronësi të shtetasit A.Ndoja.
Gjatë arrestimeve të bëra, në disa prej ambienteve është gjetur lëndë narkotike e llojit kokainë e ndarë në porcione, të cilat janë sekuestruar.
Në këtë operacion janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale: 2 automjete, 9 aparate telefonike, 1 dozë kokainë si dhe një shumë prej 10.000 lekësh.



