Pedagogu Roland Bejko e cilëson Partinë Demokratike si një makinë të vjetër me motor të prishur, e cila bën zhurmë por nuk ka rezultat.
Nga studio e lajmeve të MCN TV, ai deklaroi se rruga e ndjekur nga opozita përfshirë dhe protestën e pasdites së sotme nuk e çon dot PD-në tek fitorja, vetëm i jep kohë më shumë Sali Berishës, por jo më shumë se kaq.
Sipas tij, në protestat e thirrura nga opozita mungojnë qytetarët dhe se më shumë janë drejtuesit politikë të Partisë Demokratike.
Nga ana tjetër lidhur me atë që flitet prej kohësh për një urdhër të mundshëm arresti ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Bejko tha se opozita nuk ka ndikuar në asnjë veprim të SPAK, për sa kohë që e cilëson si organizatë kriminale.
Berisha sa vjen dhe po sfumohet, është një trupë politike që ashtu si një makine të vjetër i bien llamarinat dhe rrangallat, ashtu e katandisi dhe Berisha PD.
Nuk mund të thuash mosbindje civile kur nuk ke qytetarë. Ke aq deputetë dhe drejtues politikë të PD, por nuk ka qytetarë, nuk ka njerëz.
Se kauza e Sali Berishës dhe Ilir Metës nuk është kauzë e qytetarëve. Hallet e Berishës dhe fëmijëve të tij, nuk janë hallet e qytetarëve.
Protesta të mëdha janë bërë kur kryetari ligjor ishte Lulzim Basha dhe de fakto Sali Berisha, por PD ka qenë e bashkuar, bëri kauza të drejta.
Bëri vetëvrasje politike prej Berishës, se dogji mandatet dhe nuk fitoi dot zgjedhjet. Pas 2021 radha e Berishës ka mbaruar me kohë.
Ka pasur më shumë njerëz në foltore se sa ka sot, ka thirrur gjithë Shqipërinë këtu dhe nuk sheh më shumë se 50-100 veta në çdo pikë të protestës.
Deri tani tregon se do jetë një rezultat katastrofik. Belind Këlliçi bën pjesë te politikanët e rinj, por Berisha i ka futur këta tek shkolla e tij që shkolla e tij është berishizmi, të bëjnë shkollën e dhunës që ata të identifikohen me dhunën.
Dhe kur të iki Saliu nuk e bëjnë dot një performancë normale. Të gjithë flasin me gjuhën e Saliut dhe me fjalorin e Saliut.
Këta ditën zihen me Veliajn dhe natën ndajnë sinorët dhe leje ndërtime. Është i besueshëm fakti që kemi 5D dhe afera të tjera, është e pranueshme arrestimi i Veliajt.
Por nuk është kapital politik për opozitën. Nuk kanë influencuar fare te SPAK, se këta SPAK e quajnë organizatë kriminale.
Ose e quan organizatë kriminale, nëse është e tillë mos bashkëpuno dhe mos i kërko pse Veliajn nuk e ka marrë në burg.
Veliaj largohet duke mbushur sheshin “Skënderbej” me njerëz.
Bejko shtoi ndër të tjera se drejtësia e re ka defekte, por është në rrugën e drejtë.



