
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka paralajmëruar krerët e policisë në lidhje me kultivimin e kanabisit në vend. Në një mbledhje të thirrur prej tij, Leshaj u dha ultimatum drejtuesve të policisë datën 15 qershor për eleminimin e kanabisit në gjithë territorin e vendit.
“Të gjitha kanë për detyrë se çfarë ndodh në territorin e Republikës së Shqipërisë. Sigurisht, që ne do të zhvilloojmë një proces shumë intensiv, bashkëpunim me partnerët tanë. Por, roli dhe përgjegjësia e autoriteteve qofshin vendore, është përgjegjësia e drejtëpërdrejtë e drejtuesve që operojnë në çdo pjesë të vendit. Çdo bimë që kapet para datës 15 qershor është detyrë e juaja, çdo gjë që kapet pas datës 15 qershor është përgjegjësia juaj. Ky fenomen të mos ketë shans riaktivizimi apo vijimi”, tha ai.
Ndërkohë, Lleshaj shtoi se një prioritet tjetër është hetimi i krimit të organizuar dhe kapja e personave në kërkim. “Vendi ka një listë shumë të gjatë të personave që i shmangen drejtësisë. Ka qindra persona që i shmangen drejtësisë. Përgjegjësia është ulja e kësaj liste. Keni një listë, e cila kërkohet të ulet. Të merremi emër me emër për të gjitha ata që i janë shmangur drejtësisë”, tha Lleshaj.



