Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis ka ftuar në një darkë joformale të hënën e 21 gushtit liderët e Ballkanit Perëndimor dhe liderët e vendeve të Bashkimit Europian.
Sipas medias greke “Protothema” në darkën në “Megaro Maximos” do të flitet mbi zgjerimin dhe të ardhmen evropiane të rajonit, me rastin e 20 vjetorit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor dhe “Deklaratës së Selanikut”.
Ftesës së kryeministrit grek i janë përgjigjur dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Më 21 qershor u bënë 20 vjet nga “Deklarata e Selanikut” e Samitit BE-Ballkani Perëndimor që u zhvillua gjatë Presidencës greke të Këshillit të BE-së dhe që hapi rrugën për përfshirjen e disa vendeve të rajonit në union.
Në Athinë, konkretisht në hotelin “Britania e Madhe” presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatovic, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohen për të marrë pjesë në darkën joformale.
Shqipëria, e ftuar në nivel presidenti nuk do të përfaqësohet, ndërsa lideri i Sllovenisë nuk ka mundur të përgjigjet pozitivisht.
Në diskutim do të marrin pjesë edhe liderët e vendeve të rajonit që janë anëtare të BE-së dhe më konkretisht kryeministri i Bullgarisë Nikolai Denkov, i Kroacisë Andrej Plenkoviç dhe i Rumanisë Ion-Marcel Ciolakou.



