Sylë Ukshini, ish-ambasador i Kosovës në Tiranë tha se ka qenë një ëndërr që s’kishte guxuar ta mendonte që një ditë Kosova do të ishte e pavarur dhe ai do të përfaqësonte këtë shtet si diplomat në Tiranë. Duke folur në emisionin "Arnautistan", Ukshini vë në dukje se shqiptarët duhet t’i jenë mirënjohës në radhë të parë SHBA-ve. “Mund të them pa doreza që Tirana më ka dhënë shumë miq dhe kënaqësi. Ka qenë një ëndërr që s’kisha guxuar ta mendoja në rini. Që të shpërbëhej Jugosllavia, të pavarësohej Kosova dhe unë të vija përfaqësues i Kosovës këtu. Ne shqiptarët kemi pasur fat gjatë historisë, në momentin më kritik ndodh diçka dhe shpëtojmë. Rënia e Murit të Berlinit dhe regjimeve komuniste hapi një shans për shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë. Ne duhet t’i jemi mirënjohës SHBA-ve dhe Perëndimit. Për pavarësinë e fundit meritor janë edhe Britania e Madhe. Oliver Schmitt e ka një fjali që luftërat ballkanike e shpejtuan krijimin e shtetit shqiptar. Unë mendoj që shekulli XXI është shekulli i shqiptarëve në Ballkan. Shteti i Kosovës ka krijuar edhe stabilitet dhe siguri edhe për Shqipërinë. Edhe predispozita të zhvillimit”, tha Ukshini.



