
Në fjalën që mbajti në Qendrën Wilson të Washington, Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson foli për rëndësinë e veçantë që merr aleanca mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës, në kushtet kur ato përballen me kërcënimin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut dhe Iranit, me rrezikun e terrorizmit, të sulmeve kibernetike dhe me përpjekjet e Rusisë për të shfrytëzuar problemet e vendeve të Europës Juglindore, për të penguar projektin europian.
Uashingtoni, tha ai, mbetet i përkushtuar ndaj sigurisë evropiane, duke përmendur si një prej kërcënimeve kryesore sjelljen agresive të Rusisë ndaj vendeve fqinjë. Rusia, tha ai, ka shkelur sovranitetin e vendit më të madh të Europës, Ukrainës dhe ne i bëjmë thirrje Moskës të respektojë premtimet që ka bërë bazuar në Marrëveshjen e Minskut, për të kthyer paqen në Ukrainën Lindore: “Ndërsa Perëndimi përpiqet të ketë një marrëdhënie të re produktive me Rusinë pas periudhës sovjetike, deri tani ajo është provuar të jetë e vështirë të arrihet; të dyja përpjekjet e administratës së mëparshme për të rivendosur marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara me Europën u pasuan me pushtimin nga Rusia të fqinjëve të vet, Gjeorgjinë në vitin 2008 dhe Ukrainën në vitin 2014”, tha zoti Tillerson.
Sekretari i Shtetit tha se Rusia po përpiqet të vendosë një balancë të re ekuilibrash e të imponojë me forcë vullentin e saj përmes arsenalit të vet bërthamor apo duke bërë aleanca me regjime shtypëse, si ai i Bashar Al Asadit. Ai the se Moska shpesh ka zbatuar taktika keqdashëse për t’i përçarë Shtetet e Bashkuara dhe Europën dhe për të minuar sukseset politike dhe ekonomike të arritura pas fundit të Luftës së Ftohtë. “Të përdorësh politikën kur është fjala për furnizimin me energji, të kryesh sulme kibernetike dhe fushata dezinformuese për të minuar zgjedhjet e lira dhe të drejta, apo frikësimi i diplomatëve, këto nuk janë sjellje të një vendi të përgjegjshëm”, – tha zoti Tillerson.
Sekretari amerikan i Shtetit tha se marrëdhëniet e sigurisë mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës janë të patundura dhe se SHBA do të mbajnë premtimin e bërë, në rast të një sulmi ndaj ndonjë vendi aleat.
Lidhur me Evropën Juglindore, Sekretari Tillerson tha se Shtetet e Bashkuara janë të ndërgjegjshme për brishtësinë e vendeve Ballkanike dhe se do të vazhdojnë të punojnë me Bashkimin Europian për të konsoliduar stabilitetin, mirëqenien dhe demokracinë në këtë rajon. “Vendeve ballkanike ne u themi “braktisini armiqësitë e vjetra, në mënyrë që paqja të bëhet e përhershme. Ju keni shansin të drejtoni një kurs të ri të historisë. Diferencat entike midis vendeve nuk duhet të shndërrohen më në fronte konfliktesh. Shtetet e Bashkuara dhe bota dëshirojnë të shohin një brez të ri serbësh, kroatësh, shqiptarësh, boshnjakësh, kosovarësh dhe të tjerë, që të falin atë që ka ndodhur në të shkuarën, edhe në se nuk mund ta harrojnë atë kurrë”, – tha zoti Tillerson./VOA



