
Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu deklaroi në MCN Live se Shqipëria duhet të rrisë financimet në fushën e mbrojtjes dhe të krijohet një agjenci e sigurisë kombëtare.
Mediu paralajmëroi se nuk rrezikohet vetëm sektori publik, por edhe ai privat.
Kreu i PR ngriti shqetësimin se sulmet kibernetike mund të prekin sistemin bankar dhe atë energjitik në vend.
Situata komplekse në Ballkan, me aktorë që kanë për qëllim ndezjen e konflikteve si Rusia, Serbia apo Irani, ne duhet të dimë si të reagojnë si vend i NATO-s. Duhet të kemi një agjenci që koordinon çështjet e sigurisë, në mënyrë që të ketë një axhendë veprimi permanente në çështjet e sigurisë. Duhet të ketë pjesëmarrje të Parlamentit dhe institucionet e tjera. Ndoshta një bashkëpunim rajonal do ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm, flas për vendet e NATO-s dhe Kosovën që s’është pjesë e NATO-s. Edhe investimet në fushën kibernetike duhet të konsiderohen si shpenzime të mbrojtjes.
Ne jemi në luftë dhe që të mësosh nga ajo që ka ndodhur duhet të nxjerrësh përgjegjësitë. Nuk është vetëm sektori publik, është i rrezikuar edhe sektori privat. Hakimi i të dhënave personale, mund të manipulojë sjelljen tuaj, qasjen tuaj, për të krijuar probleme sociale, ekonomike, energjitike. Nuk jemi në luftë me një aktor dytësor, por me një aktor të rëndësishëm gjeopolitik, që ka aleat Rusinë. Të gjitha kompanitë private mund t’u krijohen probleme në rrjetin e brendshëm. Mund të ketë probleme në sektorin bankar. Ka nevojë për sistem parandalimi, për sistem operacion, etj. Nëse ne do t’ia lëmë kohës sepse kaluam një valë. Vala tjetër mund të jetë akoma më e rëndë, në sistemin financiar dhe infrastrukturën kritike. Ekspertët më të mirë të IT sot nuk janë në shtet por në sektorin privat. Duhet një partner strategjik dhe ne kemi SHBA-të.
Ne kemi miratuar një ligj në parlament për t’u asistuar nga kompanitë e nivelit të lartë në çështjet kibernetike. Faktori rajonal e bën Shqipërinë më të vlefshme në partneritet. Investimet në IT duhet të shoqërohen edhe me investime në sigurinë kibernetike. Duhet të ndërtohet një sistem i plotë dhe i lidhur me njëri-tjetrin për të parandaluar sulmin kibernetik. Koha për ta gjetur ‘tradhtarin’ kërkon kohë për analizë. E rëndësishme është të gjesh mjetet për t’u mbrojtur. Kemi nevojë për një qëndrim të qartë të shtetit, publikut dhe privatit. Diskutime të tilla duhet të bëhen pjesë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Nuk e di çfarë gjë tjetër duhet të ndodhë që të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Duhet një agjenci e sigurisë kombëtare, që të mbledhë të gjitha informacionet dhe të dalë me një qëndrim të caktuar”.



