
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja direkte në Shqipëri gjatë 6 muajve të parë të këtij viti kanë arritur në 760 milionë euro, prej të cilave 34% janë investime në sektorë të lidhur me tregun e pasurive të paluajtshme.
Duke komentuar këtë trend në panelin e “MCN Informacion”, ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme, Gjin Gjoka dhe Fisnik Haçkaj, theksuan se të huajt po tregojnë interes të shtuar për të blerë prona në Shqipëri, sidomos në zonat bregdetare dhe turistike.
Gjin Gjoka:
Të huajt janë kaq të interesuar për Shqipërinë sepse në dekadën e fundit vendi ynë është kthyer në një destinacion të rëndësishëm turistik, si për plazhin ashtu edhe për turizmin malor.
Shqipëria shihet si një vend i virgjër dhe me potencial të madh për investime.
Ata që vijnë nga vende si Italia, Gjermania apo shtetet skandinave, e shohin Shqipërinë si një mundësi të mirë jo vetëm për turizëm, por edhe për investime afatgjata.
Fisnik Haçkaj:
Çmimi i pronave në Shqipëri është ndjeshëm më i lirë krahasuar me vendet e tjera të rajonit apo me kryeqytetet evropiane. Sidomos për pronat buzë detit, ne jemi rreth 30-40% më lirë.
Kjo e bën Shqipërinë shumë tërheqëse për blerësit e huaj, të cilët e shohin vendin tonë si një destinacion për pushime, por edhe si vend të përshtatshëm për të kaluar pensionin.
Interesi vjen kryesisht nga shtetas italianë, gjermanë dhe nga vendet nordike, por po rritet edhe nga Europa Juglindore.



