Ndërsa përballen me ngopjen e sektorit të smartfonëve, kompanitë e teknologjisë po përpiqen të gjejnë ide nga më të ndryshmet, për t’u dalluar nga njëra-tjetra. Sony, për shembull, ka paraqitur një patentë për një smartfon transparent. Ideja është që përdoruesi të shfrytëzojë dy ekrane, një para dhe një mbrapa. Te ky lloj aparati është aplikuar një teknologji e thyerjes së dritës, që lejon simulimin e transparencës, e cila mund të çaktivizohet nga përdoruesi.
Mes dy ekraneve do të ketë hapësirë për të akomoduar pjesët përbërëse të brendshme të aparatit.
Faqja Letsgodigital, e cila zbuloi patentën, gjithashtu krijoi disa 'koncepte' në foto që ndihmojnë për të kuptuar se si mund të përdoret një telefon me këtë lloj teknologjie. Patenta gjithashtu përfshin një variant të palosshëm. Patenta u paraqit nga Sony në pranverë dhe është publikuar nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (Wipo) më 22 nëntor.



