Gazetari Ilir Mati e konsideroi metaforikisht Shqipërinë një “stacion”. Duke folur në emisionin “Arnautistan” në MCN TV ai tha se në antropologjinë kulturore Shqipëria studiohet si një rast i veçantë i kulturës së mbijetesës
Jeta është e bukur gjithmonë. Është i famshëm ai filmi i Benigni që jeta është e bukur edhe në kampet e përqendrimit nazist. Jeta është e bukur edhe në kushte të vështira si ato të diktaturës së ploretariatit. Që të tregosh si e ke përballuar egërsinë e pushtetit është më interesante, sepse dalin në pah vlera njerëzore. Të gjitha vendet e Lindjes filluan të tregojnë se çfarë u kishte bërë pushteti. Kemi pak raste kur tregojnë si e kanë përballuar atë pushtet. Kur tregon dalin në pah vlera njerëzore, që e frymëzojnë tjetrin për jetë më të mirë, për t’i kuptuar ato gabime, atë dhunë. Ende s’e kemi një tryezë ku t’u shpjegojmë njerëzve çfarë na ka ndodhur në Luftën e Ftohtë. Kur shkoj në një fshat dhe takoj njerëz, i provokoj u them ‘pse nuk ke ikur nga Shqipëria?’, ata tregojnë ‘pse-në’. Më duket më interesante për të kuptuar se çfarë bëjnë njerëzit për t’i kaluar ato kushte të vështira të jetës. Se po mbetëm me atë se çfarë na ka bërë pushteti...Në Shqipëri do dalim nga varfëria e madhe ku ndodhemi, apo jo? Dhe si do dalim duke rendur nga shtetasi në nivel më të lartë pune deri te më i thjeshti, duke ndjekur rrugë jo të ligjshme. Pyetja pse në shoqërinë tonë ka kaq shumë krime, është interesante për t’u kuptuar. Shqipëria është një stacion. Në antropologjinë kulturore studiohet si një rast i veçantë i kulturës së mbijetesës. Unë jetoj në stacion, nuk varet nga dëshira. Njeriu shkon drejt kushteve më të mira për të jetuar, s’ka forcë që t’i ndalë”.



