
Dita e sotme në Kosovë është ditë zie në nderim të policit të vrarë, Afrim Bunjaku.
Flamujt e të gjithë institucioneve do të ulen në gjysmë shtizë, dhe do të kryhen nderimet e rastit.
Bunjaku u vra dje në veri të vendit, në fshatin Banjskë të Zveçanit e banuar me shumicë serbe, pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës, të organizuar nga një grup kriminal ende i paidentifikuar saktë për organet e rendit.
I plagosur mbeti kolegu i tij, Alban Rashiti, i cili pas një intervenimi në kraharor kreu me sukses operacionin.
Polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra dje në veri të vendit, do të varroset sot nga ora 16:00.
Ai do të varroset në varrezat e fshatit Samadrexhë
Gjithçka filloi në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, kur një grup i armatosur rëndë në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – qëlluan me armë zjarri mbi trupat e Policisë së Kosovës, duke shuar jetën e një zyrtari policor.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe 3 u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në veri të vendit. Rreshteri Bunjaku u vra në pritën që grupi i armatosur kishte zënë në hyrje të fshatit Banjskës në Zveçan. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagosën edhe 2 policë të tjerë.
Më pas grupi i armatosur prej 30 anëtarësh u vendos në manastirin e Banjskës ku për orë të tëra gjatë gjithë ditës së diele u shkëmbyen të shtëna me policinë.
Në mbrëmje ministri i Brendshëm i Kosovës deklaroi se tre sulmues u vranë, ndërsa gjashtë persona të tjerë, që dyshohet se ishin të lidhur me ta, u arrestuan. Gjithashtu ishin sekuestruar sasi të madhe armatimi.
Autoritetet e Kosovës bënë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.



