Partneritet i veçantë në këmbim të tërheqjes së heshtur nga anëtarësimi në BE. Kjo është oferta e Francës, e cila ka nisur jozyrtarisht një fushatë konsultimesh diplomatike për disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas propozimit, mbështetja financiare, aranzhimet speciale për qasje në tregjet evropiane dhe përfitime të tjera do t'u ofrohen vendeve të Ballkanit Perëndimor në këmbim të një "tërheqjeje të heshtur" nga anëtarësimi i plotë.
Sipas gazetës boshnjake "Nezavisne", Franca është nën presionin e partnerëve të saj evropianë, që të heqë dorë nga qëndrimi i saj kokëfortë në samitin evropian marsin e ardhshëm dhe t’i hapë rrugën e negociatave Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, dhe pastaj të zgjidhin çdo problem të mbetur.
Kjo është arsyeja pse zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut janë caktuar për në prill, për të parë nëse BE-ja do të aprovojë vijimin e procesit të hapjes së negociatave në mars.
Çështja e Bosnje-Hercegovinës gjithashtu duhet të diskutohet në Samitin e Marsit, me kusht që qeveria të formohet nga atëherë dhe hapa konkretë të ndërmerren për zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian, shkruan gazeta.
Kjo e fundit sjell rastin e Gjermanisë, e cila i pati ofruar një propozim të ngjashëm Turqisë dhjetë vjet më parë, duke i premtuar asaj një "partneritet të privilegjuar" në vend të anëtarësimit, por edhe në atë kohë, ajo u pa si një mënyrë elegante e heqjes dorë nga pranimi i Turqisë në BE.
Mediat evropiane kritikojnë ashpër Francën, duke e akuzuar atë se po e shtyn Ballkanin Perëndimor në duart e Rusisë, Turqisë dhe Kinës, me heqjen dorë nga axhenda e zgjerimit të BE-së.



