Banorët e lagjes së “5 Majit” kanë protestuar sërish sot kundër prishjes së banesave të tyre pa firmosur kontratë me Bashkinë e Tiranës se ku do të vendosen.
Ata ngritën pretendimin, se Bashkia nuk planifikon ngritjen e pallateve në zonë, por ngritjen e kullave.
Nga studio e lajmeve të MCN TV, Bekim Cerri, përfaqësues i banorëve të lagjes “5 Maji” tha se banorët nuk janë kundër zhvillimit të zonës, por kërkojnë që banesat e tyre të vlerësohen me çmim tregu dhe jo me çmim referencë pasi ndërtesat e tyre janë të padëmtuara. Ai gjithashtu theksoi se banorët kërkojnë që vlerësimi të bëhet me çmim tregu edhe për banesat e palegalizuara, pasi sipas tij nuk është problemi i banorëve që ASHK nuk i ka nxjerrë ende hipotekat. Cerri tha po ashtu se banorët kanë marrë një mesazh nga Njësia Bashkiake për kontratë qiraje dhe kontratë shkëmbimi, të cilën banorët refuzojnë ta firmosin sepse nuk është e përcaktuar koha, vendi apo banesa që do të marrin.
Intervista:
Z. Cerri, cilat janë kërkesat tuaja?
Cerri: Ne jemi pro zhvillimit por duam që banesat të vlerësohen me çmim tregu, si ai që e ka të legalizuar dhe ai që nuk e ka legalizuar. Që prej 2004-2005-ës janë bërë aplikimet për hipotekat dhe nuk është problemi i banorëve që ASHK nuk i ka nxjerrë ende. Rreth gjysma e banesave është e palegalizuar. Vlerë reference ne nuk duam. Para dy ditësh na ka ardhur një mesazh nga Njësia Bshkiake për kontratë qiraje dhe kontratë shkëmbimi. Në kontratë nuk ka të përcaktuar kohën, vendin etj. Në mesazh thuhet që nëse nuk firmos nuk përfiton. Kontrata është i papërcaktuar, thjeshtë thotë firmos. Unë nuk firmos pa vendim të Këshillit bashkiak. Nuk mund të firmosim pa u marrë parasysh kërkesat. Ka banorë që kanë bërë ndërtesë për gjithë familjen. Në zonën tonë nuk ka ardhur asnjë institucion të interesohet për ne. Numri konkret në dy njësitë që kap kjo zonë është 1500 banorë. Bashkia nuk mund të prishë shtëpitë pa pasur konsensus me mua. Në fillim firmoset kontrata, më pas vazhdohet. Të gjitha informacionet që unë po them janë publikuar në faqen e kryeministrisë. Unë kam 30 vjet që banoj aty dhe ka qenë zonë e banuar, se çfarë ka qenë më para unë nuk e di.
A keni dijeni, çfarë dhe sa ndërtime pritet të bëhen në këtë zonë?
Cerri: Këtë informacion ne nuk e kemi, duhet ta japin ata. Aty nuk ka plan ndërtues, si mund ta prishin shtëpinë pa plan ndërtues. Bëhet fjalë për 9 pallate për ata të fatkeqësisë natyrore. Le të vijnë, ajo për të cilën nuk jam dakord me mënyrën e vlerësimit.
Nëse kërkesat tuaja nuk pranohen si do veproni?
Cerri: Ne nuk e ndalojmë protestën, mund të bëhet edhe fizike. Ne do shkojmë të protestojmë edhe para bashkisë. Ky është vendim dhe jo ligj. Vendimet ata i nxjerrin si të duan, unë nuk ka siguri tek ky shtet. Kontratat janë 1-veçare, ndërkohë që një pallat do 3 vjet të ndërtohet, ku do shkojmë ne. Ne na kanë ardhur aty edhe deputetë aty, ne nuk kemi pranuar, ne jemi në mbështetje të pronës.



