
Eventi më i madh i bukurisë shqiptare do të transmetohet në ekranin tonë. MCN TV ka blerë të drejtat e transmetimit të kompeticionit që do të zgjedhë më të bukurën e vitit 2024, e cila do të na përfaqësojë në Miss Universe. Spektaklin e bukurisë, i cili tradicionalisht mbahet në Pallatin e Kongreseve, do ta ndiqni në ekranin e MCN TV për tre vitet e ardhshme. Miss Universe Albania 2024 pason finalen e këtij viti, e cila u fitua nga Endi Demneri, bukuroshja që do të pëfaqësojë Shqipërinë dhe Kosovën në garën botërore të bukurisë. Konkursi që mbahet rregullisht çdo vit ka nxjerrë fituese vajza që më pas kanë pushtuar pasarelat e modës dhe ekranet e televizioneve. Kujtojmë se këtë garë e ka fituar në vitin 2010 Anxhela Martini, në 2011 Xhesika Berberi, ndërsa Adrola Dushi ka përfaqësuar Shqipërinë pas kurorëzimit nga ky kompeticion në vitin 2012. Emra të tjerë që kanë dalë fituese nga kjo garë janë Eralda Hitaj, Matilda Mcini, Anxhela Martini, Fioralba Dizdari, Blerta Leka, Trejsi Sejdini, Cindy Marina etj. Miss Universe Albania u krijua në vitin 2002 dhe që nga ajo kohë ka përzgjedhur shqiptaren më të bukur që merr pjesë në konkursin ndërkombëtar Miss Universe. Ekskluziviteti i kompeticionit iu besua në vitin 2014 producentit Eduart Deda.



