Është ambient i sigurisë se veçantë i cili ndikon dhe në sigurinë kombëtare nën monitorimin e kamerave përgjatë 24 orëve, agjencive të zbatimit të ligjit. Por asnjë nga këto s’ka ndalur dot vjedhjen e cila ka ngritur hije dyshimi nëse kemi të bëjmë me një grup të trafikut të kokainës apo dikush ka rrezikuar për dy arka banane. Emisioni FactCheck sjell dosjen e vjedhjes së kontejner në portin e Durrësit dhe pamjet e plota.
Porti i Durrësit konsiderohet objekt i sigurisë së veçantë, hyrje daljet në të monitorohen përgjatë 24 orëve e jo vetëm nga kamerat, policia, dogana dhe policia kufitare.
Për të rritur parametrat e sigurisë shpesh institucionet shqiptare janë trajnuar dhe mbështetur nga partnerët, por gardhin metalik, kamerat, policinë dhe traun e doganës më datë 8 dhjetor 2023 disa persona të proceduar për kontrabandë do ta ngrinin jo vetëm traun por do të fusnin brenda portit një kamion, merrnin kontejnerin për ta rikthyer sërish në portë pas afro 4 orë, ekzaktësisht 4 orë e 17 minuta.
Emisioni FactCheck sjell pamjet se si kamioni Renault futet në port merr kontejnerin me banane largohet dhe rikthehet sërish.
Ky veprim çoi në pranga pesë persona, ndërsa dyshimet janë se gjithçka lidhet me trafikun e lëndës narkotike Kokainë e cila nga Amerika Latine vjen nëpërmjet frutave ekzotike në Shqipëri. Kryesisht banane, anas por edhe në kontejnerët e mishit apo peshkut dhe prodhimeve të detit.
Dosja e siguruar nga emisioni FactCheck tregon në detaje veprimet e kryera dhe dyshimet e krijuara.
Në datën 08.12.2023rreth orës 14.53 kamioni i markës “Renault” me targë”AA760HL” me drejtues shtetasin Durim Halka, ka hyrë brenda Portit Detar Durrës dhe më pas në Terminalin e kontejnerëve të Portit Durrës, me qëllim për të tërhequr kontejnerin me numër “SEGU944869” që i përket kompanisë “Zico Sh.a”.
Regjistrimi i tij në portën hyrëse është kryer nga operatorja Alketa Kallçaku, e cila e ka kryer këtë regjistrim pa dokumentacionin përkatës. Kjo pasi drejtuesi i kamionit nuk ka pasur një praktikë doganore dhe autorizim nga agjencia dhe kompania “Zico Sh.a” për tërheqjen “ kontejnerit”.
Hyrja e Paligjshme në Terminalin e Kontejnerëve dhe në Portin e Durrësit për afro 1.47 minuta s’ka shqetësuar askënd dhe ky kamion thonë hetuesit merr Kontenierin dhe largohet sërish nga porti.
Pasi ka ngarkuar kontejnerin me numër “SEGU944869”, rreth orës 16.00 të datës08.12.2023, kamioni me targë “AA760HL” ka dalë nga terminali dhe më pas nga rrethimi i Portit Detar Durrës, ku për të nuk është kryer regjistrim i daljes. Nga verifikimet në sistemin “Navis 4” ka rezultuar se operatori që duhet të bënte këtë veprim ka qenë shtetasi Denis Musaj”.
Po ku përfundoi Kamioni dhe Kontenieri i marrë pa leje dhe dokumentacionin e kërkuar nga ligji?
Dosja e Prokurorisë Durrës sqaron se
Rreth orës 18.30 të datës 08.12.2023 kamioni me targë “AA760HL” është rikthyer përsëri i ngarkuar me kontejnerin me numër “SEGU944869” dhe ka hyrë në terminalin e kontejnereve të portit Detar Durrës duke e shkarkuar kontejnerin në shesh dhe nuk është kryer asnjë praktike regjistrimi për hyrjen e tij. Nga verifikimet në sistemin “Navis 4” ka rezultuar se operatori që duhet të bënte këtë veprim ka qenë shtetasi Egnis Gojani.
Nga këqyrja e pamjeve filmike në lidhje me itinerarin që ka ndjekur kamioni me targë “AA760HL i ngarkuar me kontejnerin me numër “SEGU944869”, pas daljes nga porti në orën 16.00 të datës 08.12.2023 deri ne momentin e rihyrjes në port në orën 18.30 të datës 08.12.2023, rezulton se kamioni me targë “AA760HL” ka shkuar në një parking privat në Shkozet Lagja 14 Durrës, në pronësi të shtetasit Anxhelo Kokomani, dhe pas kamionit ka qenë makina shoqëruese një xhip me ngjyrë të bardhë, me targa të kuqe, e cila është identifikuar nga organi procedues dhe pas saj një makinë Mercedez Benz me ngjyrë gri.



