
Nga Lezha, ku ishte në një takim me demokrat, kreu i opozitës Lulzim Basha hodhi akuza të forta në drejtim të qeverisë. Basha u shpreh se Shqipëria sot nuk ka një qeveri dhe kryeministër, por ka një bandë dhe kapobandë, që e ka kthyer vendin në zonë të lirë për krimin dhe po kap drejtësinë për të mos dhënë llogari para saj dhe kjo sipas tij u tregua edhe me zgjedhjen e kryeprokurores.
“Efektin e parë të emërimit të Ramës kryeprokuror e patë me kthimin e pasaportës tek Saimir Tahiri. Ky është fillimi i një akti antikushtetues, i cili përqëndron pushtetin e drejtësisë në duart e personit që duhet të përgjigjet para drejtësisë dhe i jep një goditje, ndoshta vdekjeprurëse, reformës në drejtësi”, theksoi Kryetari i PD-së.
Kryetari i opozitës shpjegoi çfarë synohet me protestat dhe çfarë do të thotë krijimi i një qeverie antimafia.
“T’ia bëjmë të qartë se nuk po e bëjmë këtë që të ikë Edi Rama dhe të vijë unë me protestë, apo të jem unë kryetari i qeverisë së përkohshme, jo! Ne kërkojmë largimin e shkaktarit numër një dhe krijimin e kushteve për funksionimin e demokracisë dhe reformës në drejtësi. Ndaj kemi parashtruar nevojën për një qeveri antimafia”, deklaroi para qytetarëve kreu i PD.
Gjatë fjalës së tij, Basha theksoi se qeveria antimafia do të garantojë reformën zgjedhore, mosprekjen e votës dhe, përmes zgjdhjeve të lira e të ndershme, garanton një qeveri që lidh fatin e vet me atë të qytetarëve. Sipas kreut të opozitës Shqipëria ndodhet në një krizë politike, ekonomike dhe morale.



