Projektligji “Për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë”, pjesë e paketës prej 7 ligjesh për zbatimin e reformës kushtetuese, është parashikuar të votohet në seancën e sotme plenare. Drafti është mbartur nga seancat parardhëse në përpjekje për gjetjen e konsensusit mes palëve.
Bashkë me të, për votim sot janë dhe ndryshimet në Kodin Civil dhe në Kodin e Procedurës Civile, edhe këto të mbartura për votim nga seanca e kaluar. Për miratimin e të tre p/ligjeve nevojitet shumicë e cilësuar prej 84 votash, ndaj dhe seanca e sotme konsiderohet një gur prove për mazhorancën nëse do të arrijë të sigurojë kuorumin e nevojshëm.
Gjithashtu, në seancën e sotme pritet zgjedhja e kryetarit të ri të KQZ-së. Ditën e djeshme, Komisioni i Ligjeve i kaloi për votim Kuvendit dy kandidatura, Denar Biba, aktualisht nënkryetar i KQZ-së dhe Koli Bele.
Gjithashtu, në seancën e sotme janë parashikuar për shqyrtim edhe disa ndryshime në ligjin “Për sigurimet shoqërore” dhe në ligjin “Për Procedurat Tatimore”.



