
Emisioni investigativ “Xhadat” ka denoncuar shitjen e antibiotikëve pa recetë në farmaci, një problem që ka mbetur i pa zgjidhur në vite. Xhadat ka faktuar se ligjin e shkelin të parët, ata që duhet ta zbatojnë të parët. I tillë është dhe rasti i Laurela Zanit, Presidentes së Urdhrit të Farmacistëve të Rajonit të Tiranës, në farmacinë e së cilës gazetarët blenë antibiotikë pa recetë.
Por, ky nuk është një rast i izoluar. Xhadat ishte në disa farmaci në kryeqytet, ku ndonëse janë në dijeni të shkeljes së hapur që i bëjnë ligjit, farmacistët shesin antibiotikë pa pasur një recetë nga mjeku.
Gazetarja: Mua mu deshën 5 kokrra eritromicinë.
Farmacistja: Eritriomicinë?
Gazetarja: Po.
Farmacistja: Tableta?
Gazetarja: Po, tableta.
Farmacistja: Sa doje? 5 kokrra?
Gazetarja: Po
Farmacistja: 85 lekë.
Gazetarja: Si kaluat? Më duheshin 5 kokrra Azitromicinë
Farmacisti: Recetë s’ke?
Gazetarja: Jo, nuk kam. E doja për babin se ka probleme me fytin edhe i kam marrë edhe më herët pa recetë.
Farmacisti: Nejse tani po i shtrëngojnë gjërat. Sa donit?
Gazetarja: 5 kokrra
Farmacisti: 3 ka një kuti. Do 2 kuti?
Farmacisti: Do 3 kokrra apo t’i bëj 5?
Gazetarja: S‘ka gjë lëri 3. Se po ashtu marr dhe të tjera më vonë.
Farmacisti: Në rregull. 650 lekë
Gazetarja: Po pse nuk merren tani kështu?
Farmacisti: Dolën në televizor këto, që mos të jepen pa recetë e pa ashtu. Dhe kur dalin në televizor dalin në fushatë pastaj kontrollet.
Këto farmaci ushtrojnë veprimtarinë e tyre në kundërshtim me ligjin 105/2014 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, i cili në nenin 52 parashikon se “Barnat tregtohen në farmaci ose agjenci farmaceutike vetëm me recetën e mjekut, me përjashtim të barnave OTC, sipas një liste të miratuar me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë”.
Ky shqetësim është evidentuar edhe nga vetë institucionet. Presidentja e Urdhrit të Farmacistëve, Diana Toma, pranoi se ka farmacistë që tregtojnë antibiotikë pa recetë, por përgjegjësinë për zgjidhjen e problematikës e ndau me institucionet dhe qeverinë.
“Ne na duket se problemet në një sistem nuk kanë shkak-pasojë, në të vërtetë kanë shkak-pasojë dhe shkak-pasojat e gjithë problematikave që fillojnë që nga kriteret e hapjes së farmacive, marzhet e tregtimit të barit, mungesa e një formati të miratuar të recetës, përshkrimi i parregullt i barit në recetë, mosmundësimi i kontrolleve mjekësore të pacientëve në çdo moment, si dhe pa e mohuar nga shkelja e përcaktimeve që ligji bën sa i takon me mënyrën e dhënies së barnave”, u shpreh Diana Toma.
Po ashtu vetë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në një mbledhje gjatë muajit shtator kërkoi zero tolerancë ndaj farmacive që japin antibiotikë pa recetë dhe ndër të tjera i bëri thirrje Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore që të shtojë kontrollet në lidhje me këtë çështje. Mesa duket në gjithë këto vite që fenomeni vazhdon të jetë prezent, puna e kësaj agjencie nuk ka dhënë rezultat.



