
Mos ndjenja e shijeve dhe aromave ka qenë që në fillim një nga simptomat më lehtësisht të dallueshme të Covid-it.
Por një studim i ri tani zbulon se infeksioni rrit rrezikun e humbjes së dëgjimit dhe humbjes së dëgjimit sensorineural (SNHL) tek të rriturit.
Ekipi i studiuesve të Koresë së Jugut analizoi të dhënat e 6.7 milionë personave midis 20 dhe 39 vjeç pa probleme dëgjimi, nga janari 2020 deri në dhjetor 2022, ku 72% kishin pasur Covid.
“Raportet e fundit klinike kanë dokumentuar humbje të paprecedentë dhe të papritur të dëgjimit tek të rinjtë pas infeksionit Covid-19, duke sugjeruar se këto çrregullime janë shfaqur gjithnjë e më shumë si një problem i ri i shëndetit publik pas pandemisë”, thanë studiuesit në studimin e publikuar në eClinicalMedicine, nga grupi Lancet.
Ata shtojnë se shurdhimi tek të rinjtë mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në cilësinë e jetës, performancën akademike dhe profesionale dhe marrëdhëniet sociale.
Studimi i ri tregon se problemet e dëgjimit janë 3 herë më të shpeshta pas Covid.
Gjatë periudhës së studimit janë shënuar 38.269 raste të shurdhimit dhe 5908 raste të humbjes së dëgjimit sensorineural, për shkak të dëmtimit të nervit të dëgjimit, gjë që zvogëlon perceptimin e disa frekuencave dhe bën që tingujt të duken të deformuar.
Në të dyja rastet rreziku ishte më i lartë në grupin që kishte kontraktuar virusin Sars-CoV-2.
Më tej, analiza më e detajuar tregoi se rreziku më i madh i humbjes së dëgjimit të lidhur me Covid-in vërehet tek të rinjtë me diabet, e njëjta gjë vlen edhe për humbjen e dëgjimit sensorineural, i cili gjithashtu prek më shumë pacientët me nivele jonormale të kolesterolit.
“Këto gjetje sugjerojnë që ofruesit e kujdesit shëndetësor duhet të jenë të vetëdijshëm për rrezikun në rritje të problemeve të dëgjimit tek të rinjtë me Covid-19 dhe të marrin në konsideratë ekzaminimin dhe ndjekjen e duhur”, rekomandojnë studiuesit të cilët konsiderojnë studime të mëtejshme duke përdorur të dhëna audioologjike të nevojshme dhe një ndjekje më të gjatë, për të gërmuar më thellë në mekanizmat biologjikë që qëndrojnë në themel të efekteve të Sars-CoV-2 në dëgjim.



