Një ditë pasi Rusia lajmëroi aprovimin e vaksinës antikovid dhe prodhimin e dozave të para në ditët e ardhshme, Presidenti amerikan Donald Trump hodhi firmën mbi një kontrate të re, me vlerë 1.5 miliardë dollarë, për blerjen dhe furnizimin e 100 milion dozave të vaksinës eksperimentale të kompanisë amerikane të bioteknologjisë Moderna. Asnjë kompani apo grup tjetër në industrinë farmaceutike nuk ka marrë një shumë kaq të madhe parash nga Uashingtoni në garën për të bërë vaksina që do të garantonin parandalimin e infeksionit koronavirus.
Kemi hyrë në një marrëveshje me kompaninë Moderna për prodhimin dhe furnizimin e 100 milion dozave të vaksinës kundër koronavirusit. Qeveria federale do të jetë pronare e këtyre dozave të vaksinave, të cilat do t'i blejmë. Pasi vaksina të aprovohet, do të marrim edhe 500 milionë doza.
Moderna, partner i Institutit Kombëtar të Shëndetit në SHBA, është një nga tre konsorciumet në Perëndim që kanë hyrë në fazën e fundit të provave klinike të vaksinave, duke testuar 30,000 vullnetarë që nga korriku. Rezultatet paraprake nga faza e parë e provave klinike te një kampion i vogël njerëzish treguan se vaksina jepte një përgjigje imune ndaj virusit. Administrata Trump ka harxhuar të paktën 10,9 miliardë dollarë në zhvillimin dhe prodhimin e vaksinave kundër SARS-CoV-2.



