
Të paktën 11 alpinistë janë gjetur të vdekur dhe tre të tjerë janë shpëtuar nga ekipet e kërkimit të cilët punuan gjatë natës pas shpërthimit të një vullkani në Indonezinë perëndimore, njoftuan autoritetet lokale mëngjesin e së hënës.
Mali Marapi në ishullin e Sumatrës, me një lartësi prej 2891 metrash, shpërtheu të dielën duke hedhur në qiell një kolonë hiri 3000 metra të lartë, e cila ra me mbeturinat vullkanike në fshatrat e afërta.
“Janë 26 persona që nuk u evakuuan, ne gjetëm 14 prej tyre: tre të gjallë dhe 11 të vdekur”, tha Abdul Malik, kreu i Agjencisë së Kërkimit dhe Shpëtimit Padang.
Dymbëdhjetë persona janë ende të zhdukur, ndërsa 49 të tjerë kanë zbritur nga mali dhe janë dërguar në spital.
Mali Marapi në ishullin Sumatra, është një nga 130 vullkanet aktive në Indonezi.



