Profesori i Shkencave Politike Nexhmedin Spahiu duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV sheh si të vetmen alternativë për koalicion qeverisës nga VV-ja, atë me partinë e Limajt, pakicat e tjera jo serbe dhe deputetin Rashiç.
Sipas Spahiut në bazë të numrave Limajt i takon një ministri, por ai mund të kërkojë edhe më shumë, pasi nga ai varet formimi i qeverisë së re.
"Ka vetëm një alternativë dhe ajo është që Kurti të bëhej koalicion me Limajn që i sjell 3 mandate, dhe me minoritetet jo serbe dhe serbin Rashiç, që s’i takon Listës Serbe. Mund të bëj 62 mandate eventualisht.
Nëse ndonjë nga përfaqësuesit minoritar nuk pranon të futet, me 61 mandate krijon qeverinë.Me PDK-në Kurti s’ka interes ta bëjë, sepse është kjo parti që ka ende pushtet real në Kosovë, gjykata, prokurori, administratë dhe media. Koalicioni me PDK-në do ta shkatërronte VV-në dhe pas një viti do mund të ishte vetëm një parti në letër. Një koalicion i LDK-së me VV-në dhe PDK-në do ta shkatërronte.
I vetmi koalicion me interes të dyanshëm është me Haradinajn dhe Limajn, por duke qenë se raportet Kurti-Haradinaj janë përkeqësuar së tepërmi, e vetmja mundësi mbetet me Limajn dhe pakicat jo serbe. Limaj natyrisht do kërkoj një pjesë të qeverisë, zakonisht bëhen në përpjesëtim të numrave, që i bie një ministri, por ai mund të kërkojë më shumë, duke qenë se qeveria tanimë varet nga ai.
S’është se SHBA s’e kanë mbështetur Kurtin. Po mos ta kishte mbështetjen e SHBA-ve s’do merrte kontrollin e Veriut të vendit. Tjetër gjë është çfarë kanë deklaruar diplomatët amerikanë, si e kanë kritikuar dhe si i kanë marrë masat.
S’besoj se do ketë ndryshim kursi nga Kurti. Mund të pritet që në qeverisjen e brendshme të bëjë një ndryshim qasje, pasi kjo i ka sjellë zvetënim të elektoratit, arsimi, infrastruktura, ekonomia, shëndetësia”.
Spahiu tha ndër të tjera se Kosova nuk duhet të sulmojë në çdo fjalim Putinin.
“Për t’u bërë anëtar i OKB-së duhet të trokitet edhe në dyert e Moskës dhe Pekinit që mos vendosin veton. Por s’mund ta presësh këtë gjë nëse në çdo fjalim merresh me Putinin dhe Rusinë. Ka mjaftuar të dënohet agresioni, por jo të luajë rolin e skifterit”.



