
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, e sheh mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme si rrugën e vetme të ecjes së vendit përpara. Pas takimit me raportuesit e KiE-së, Basha i bëri thirrje për reflektim Partisë Socialiste.
“Nuk është kurrë vonë. Thirrja ime ndaj PS është të reflektojë sa nuk është vonë. Ndërkohë që në po përgatisim ofertën tonë jo vetëm për reformën elektorale, por për të nxjerrë vendin nga kriza, të jeni të sigurt se edhe durimit të popullit po i vjen fund. Ka ardhur koha të ndërtojmë një demokraci ku çdo shqiptar të jetë aksionere, as Rama e askush tjetër nuk mund të mendojë se mund ta trajtojë vendin si çifligun e vet dhe shqiptarët si bujkrobërit e vet”, tha Basha.
Kreu i demokratëve tha se kostot e keqqeverisjes bien mbi qytetarët.
“Është koha për të marrë vendimin e duhur për vendin, për të vendosur interesin e vendit mbi interesat politike. Nuk mund të vazhdojë më gjatë kështu. Sot është e rëndësishme se përse nuk zbatohet ligji, pse mbahen në dorë Babani apo Kajmaku i Vorës. Në Shqipëri nuk ka shtet ligjor. Ligji nuk është i barabartë për të gjithë. Një nënë keqtrajtohet, ndërsa pushtetarët e kapur në afera korruptive nuk iu hyn gjemb në këmbë. Kjo situatë duhet të marrë fund. Jemi të hapur për të gjithë instrumentet që garantojnë ecjen përpara”, tha ai.



