
Trajneri i Shqipërisë, Edoardo Reja, foli në konferencë për shtyp, një ditë para sfidës që Kombëtarja kuqezi do të luajë me Izraelin në Ligën e Kombeve.
Në fjalët e tij, Reja deklaroi se sfida me Izraelin do të jetë ndryshe nga ato të mëparshmet dhe Shqipëria do të futet në fushë vetëm për fitore. Tekniku kuqezi deklaroi se asnjë nga kombëtaret në grup nuk ka asgjë për të humbur dhe për këtë arsye do të luajnë hapur.
I pyetur nëse Broja ose Uzuni do të luajnë nga fillimi, Reja deklaroi se këtë do e bëjë të ditur nesër para ndeshjes.
Ato ndeshje të mëparshme me Izraelin janë ndeshje të historive të tjera. Tani ata kanë lojtarë të tjerë dhe po jetojmë realitete të ndryshme. Ndaj nuk mund të marrim diçka nga e kaluara, edhe pse ekipi ka ndonjë lojtar si atëherë. Është një skuadër që vrapon shumë, lojtarët që ka janë ofensive dhe të shpejtë, edhe krahët e mbrojtjes marrin pjesë në aksione ofensive. Kjo mënyrë loje mund të lërë hapësira ku ne duhet të shfrytëzojmë, sidomos sa i përket fazës mbrojtëse. Të mos i lejojmë atyre që të krijojnë superioritet numerik dhe te nisemi me shpejtësi. Kjo është mënyra taktike që duhet të bëjmë mirë këtë ndeshje dhe të mundohemi ta fitojmë.
Në fushë shihet kush e meriton më shumë a më pak, është një diskutim që mbetet i hapur, se nëse e merr në konsideratë asnjë skuadër nuk ka asgjë për të humbur. Si Islanda, Izraeli e Shqipëri, rënie nuk ka, ndaj tension nga ana jonë nuk ka. Do të luajmë të hapur dhe do ta bëjnë edhe të tjerët. Ideja jonë është të mos humbim ndeshjen, dhe të mos vuajmë se ata shtyjnë përpara me shumë lojtarë.
Uzuni dhe Broja? Nuk e kam zakon të them se kush luan para ndeshjes. Janë mirë të dy. Uzuni u shërua dhe kur u kthyem tregoi se është në gjendje 100%. E njëjta për Brojën. Kush do luajë, do e ruaj për nesër, kur t’u them djemve. Shpresojmë të jenë mirë, nëse aktivizohen, shpresojmë të jenë në formë që të na zgjidhin problemet në fazën ofensive.
Italiani foli edhe për kritikat e ish-trajnerit Astrit Hafizi, në lidhje me skemën, ku u shpreh se nuk i intereson gjykimi i të tjerëve, por shtoi se kjo mund të ndikojë për mirë, për t’u përmirësuar. Reja tha se janë vetë lojtarët që e pranojnë skemën 3-5-2.
Kritikat e Hafizit? Kush është ky më falni? Secili është i lirë të shprehë vlerësimet e veta. Mua nuk më intereson shumë gjykimi i të tjerëve, dua të shoh në shtëpinë time. Ne kemi bërë edhe gjëra të mira, kemi bërë edhe ndeshje të mira. Por jo gjithmonë mund të luash mirë. Në Itali janë 50 milionë trajnerë, në Shqipëri sa janë? 10 milionë? Është e drejtë që të ketë kritika se nëse bëhen mirë mund të të simulojnë për të përmirësuar edhe lojën, edhe fazën ofensive. Ne kemi disa siguri brenda skuadrës. Më është krijuar përshtypja se djemtë e miratojnë këtë sistem, përgatitjen, si bëhet ndeshja. Ndaj pyetini lojtarët. Janë zakonisht lojtarët që nuk pranojnë një lloj filozofie, por më duket se është një skuadër e ndërgjegjshme për vlerat që ka dhe e di atë që duhet bërë. Ka disa raste ku nuk ia del. Durim, çfarë t’i bësh! Nuk është se mund t’i gjuaj me pushkë. Edhe unë do të dëshiroja që të luanim mirë, por jo gjithmonë mund ta bësh, është normale kjo, sidomos në këtë periudhë të kampionatit.
Gjithashtu Reja, deklaroi se lojtarët duhen falënderuar për sakrificën që po bëjnë, në grumbullimin me kombëtaren, pas përfundimit të kampionatit.
Çdo gjë influencon, ky është momenti më i vështirë për të gjithë, është mbyllur kampionati, transferime, negociata, shqetësime se ku do të shkosh, është ndonjë që është në fund të kontratës dhe nuk e di se ku do të shkojë. Është e qartë se nuk ka qetësi, por duhet ta pranosh këtë situatë. Unë kam detyrën të gjej ata lojtarë të qetë dhe të motivuar, sidomos këtë, por nuk mund t’i bësh asgjë këtyre situatave. Ky është ligji i kësaj punë. Ndonjëri sapo të mbarojmë me 13 do të niset drejt klubit dhe ndonjë ikën me 11. Se kush është i impenjuar në Kupa do të jetë menjëherë në stërvitje. Ndonjëri vjen këtu dhe thotë kam vetëm 2-3 ditë pushime e pastaj nisem përsëri. Pastaj gjëja bëhet e rëndë. Por duhen falënderuar që janë sakrifikuar, bëmë një grumbullim tre javë, u treguan të aftë që dëgjuan trajnerin që u çan dërrasat çdo ditë e do që të impenjohen. Me raste bëhet e pamundur. Kjo është skuadër që pranon, nga aspekti i karakterit është ekip që ka treguar përkushtim ndaj federatës, kësaj kombëtareje, i duhen bërë komplimente.



