Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përkitazi me zgjedhjet e fundit vendore të 25 prillit, ka vendosur të sanksionojë 103 subjekte politike, 30 media dhe disa kandidatë politikë, të cilët kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit vendore, pas gjetjeve të auditimit të fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike në vitin kalendarik 2021.
Sipas një njoftimi zyrtar nga ana e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, është marrë masa për 103 subjekte politike, ku teknikisht asnjë subjekt aktiv politik në vend nuk ka mbetur pa u gjobitur, për shkak të parregullsive.
Ndër to, 89 parti politike janë gjobitur me masë administrative 60 mijë lekë.
Ndërsa, 14 parti të tjera janë sanksionuar me masën administrative prej 1 milion lekësh.
Ka pasur edhe masa shtesë për disa subjekte, ku lidhur me zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, Partia Socialiste ka marrë një masë prej 3 milionë lekësh.
Njëjtë edhe Partia Demokratike, por kjo e fundit ka marrë edhe dy masa të tjera shtesë, njëra në vlerën e 500 mijë lekëve dhe tjetra në masën e 100 mijë lekëve.
Gjoba ka pasur edhe ndaj kandidatëve, ku më e ashpra ka shkuar për kandidatin e koalicionit Shtëpia e Lirisë, Ardian Muka, i cili është gjobitur në masën 415 mijë lekë. Ky i fundit mori pjesë në zgjedhjet vendore për Bashkinë Durrës, ku u mund nga socialistja Emirjana Sako.
Sipas vendimit të Komisionerit gjithsesi, edhe Sako nuk ka mbetur pa u gjobitur, pasi ka marrë masë prej 92 mijë e 775 lekësh.
Gjobë i është vendosur edhe socialistit Edison Memolla në Rrogozhinë, i cili pas zgjedhjeve të kontestuara për shkak të një kutie në Burgun e Rrogozhinës, u detyrua të rizhvillonte zgjedhjet dhe të konfirmonte mandatin për të dytën herë në pak muaj.
Memolla është gjobitur me 120 mijë lekë.
Dënimit nuk i ka shpëtuar as Bardh Spahia në Shkodër, i cili është gjobitur me 91 mijë lekë.
Po ashtu, masa ka pasur edhe ndaj mediave, për pasqyrim të pabarabartë të fushatës elektorale, ku prijnë Top Channel, Syri TV dhe Star Plus, në masën 100 mijë lekë, ndërsa mediat tjera janë gjobitur me masën 3 mijë lekë.



