
Denoncimi i mbërritur këtë herë në redaksinë e emisionit Xhadat, tregon se si shteti për të favorizuar një ndërtues, i krijon shqetësim një lagjeje të tërë. Bëhet fjalë për rrugën “Shyqyri Hishmi” në zonën e Ali Demit, në Tiranë.
Në një rrugë të shkurtër janë vendosur 8 tabela. Rruga nga me një drejtim lëvizjeje është kthyer me dy edhe pse nuk përmbush standardet për të qenë e tillë.
Kjo ka bërë që e gjithë lagjja të mbes pa vend parkimi.
“Ne kemi 20 vite këtu në lagje dhe sa filloj pallati, këtu i ndryshuan 1,2,3,4,5.... tabela domethënë ndalim qëndrimi. Këto kanë qenë me një drejtim tani për arsyen e bërjes së pallatit ato i kthyen tabelat sipas qefit”.Çdo makinë që parkohet aty që ka nja 20 vjet që banon ai banori, i vihet nga 10 mijë të vjetra deri në 30 mijë lekë gjobë, për arsye se nuk vijnë dot kamionët të punojnë këtu të firmës që po bën pallatin.”u shpreh një nga banorët.
Kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, i ka shkaktuar rrugës dëmtime të shumta.
Një tjetër shqetësim i banorëve janë edhe zhurmat 24 orë.
Qytetarja: Është e paparë, kemi zhurmë deri në mëngjes nuk flemë gjumë. Këtu janë fëmijë këtu ka plaka, ka të sëmurë, unë përshembull jam e sëmurë, nuk fle gjithë natën.
Qytetari Grek: No gjumë, shumë problem, këtu të gjithë vjedhin, po na hyjnë brenda tek shtepia.
“Xhadat” u interesua pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik në varësi të Bashkisë Tiranë. Drejtori Herion Rrapaj u shpreh se për kthimin e rrugës me dy drejtime lëvizjeje thjesht, ka zbatuar projektin e miratuar nga Bashkia.
“Proçedura jonë është e thjeshtë, ne jemi ekzekutorët e plan-shkresave që vijnë nga Drejtoria e Transportit Publik. Besoj që edhe rasti konkret që je duke më thënë është i tillë.Ne marrim një plan-shkresë ose një projekt të rrugës së caktuar dhe bëjmë ekzekutimin e tabelave të tyre, ose spostimin ose emetimin e tyre ose heqjen në varësi të rasteve.
Rasti konkret, besoj që edhe kjo është një gjë që duhet parë po them unë, Më duhet ta verifikoj, gjithsesi po të jap një gjë të sigurt ,të them që të gjitha rrugët ose të gjitha tabelat implementohen nëpërmjet projekteve që miratohen.
Pyetjes të gazetares lidhur me dëmtimin e rrugës nga firma ndërtuese drejtori ju përgjigj:
“Teorikisht dhe praktikisht e kanë kompanitë që marrin lejen e zhvillimit, nëqoftëse janë dëmtuar nga ato,po do të çoj një teknikun tim të ma verifikojë zonën edhe nëqoftëse janë dëmtime të kryera nga subjekti, sigurisht është detyrë e subjektit që t’i rikthejë në gjendjen e mëparshme”.
Nuk kanë qënë të pakta rastet kur për shkak të këtyre problematikave banorët që janë ankuar kanë përfunduar të shoqëruar në polici. E gjithë lagjja thotë se është nën terrorin e institucioneve dhe policisë.



