Teknologjia po na verbon

Teknologjia po na verbon

Përdorimi i smartfonëve, tabletëve dhe laptopëve mund të bëhet shkak për një sërë patologjish. Teknologjia e futur në përdorim masiv sidomos në dhjetëvjeçarin e fundit nuk është testuar ende plotësisht për efektet që mund të ketë në shëndetin e përdoruesve në terma afatgjatë. Shkencëtarët kanë arritur së fundmi në përfundimin se drita blu që lëshojnë ekranet e smartfonëve, laptopëve dhe pajisjeve të tjera dixhitale dëmton shikimin dhe përshpejton verbërinë.

Studiuesit në Universitetin e Toledos në SHBA kanë zbuluar se ekspozimi i gjatë në këtë dritë gjeneron molekula toksike në qelizat që kanë të bëjnë me ndjeshmërinë e dritës në sy. Kjo mund të çojë në degjenerimin makular, një sëmundje e pakurueshme që prek pjesën e mesme të aparatit të shikimit. Drita blu ka një gjatësi vale më të vogël dhe më shumë energji krahasuar me ngjyrat e tjera.

Ekspertët thonë se korneja dhe lentet nuk mund ta bllokojnë dhe as ta reflektojnë këtë dritë. Kjo bën që ajo të dëmtojë retinën.

Degjenerimi makular është një problem i zakonshëm për moshat mbi 50-60 vjeç, që manifestohet me humbje të ndjeshme të shikimit. Ai shkaktohet nga vdekja e fotoreceptorëve, ose ndryshe qelizat e ndjeshme ndaj dritës, që ndodhen në retinën e syrit. Degjenerimi makular për shkak të moshës, edhe pse nuk shkakton verbëri të plotë, i bën të vështira aktivitetet e përditshme si leximi apo edhe thjesht dallimi i fytyrave apo objekteve.

“Nëse retina ekspozohet ndaj dritës blu, qelizat e fotoreceptorëve nisin të vdesin. Ato nuk rigjenerohen më dhe kjo do të thotë se dëmi është i pakthyeshëm”, thotë një nga autorët e studimit.

Ekspertët e okulistikës këshillojnë mbajtjen e syzeve që filtrojnë rrezet UV dhe dritën blu dhe shmangien e përdorimit të smartfonëve ose tabletëve në errësirë.

Studimi është publikuar në “Scientific Reports”.   

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy