Shoqëria Aksionere "Ilyrian Guard" regjistrohet në KQB dhe me shumë gjasë në korrik të këtij viti mund të nisë punën. Zëvendësministri i Brendshëm Julian Hodaj, i cili është edhe anëtar monitorues i "Ilyrian Guard" mohon akuzat se kjo SHA po krijohet për motivacion politik për të punësuar militantët.
“Edhe në dëshirën tonë më të mirë nuk është se kjo shoqëri po fillon aktivitetin sot dhe do ketë mundësimi punësimi të një mase të madhe njerëzish sot. Kjo shoqëri është në fazë organizimi, ka një administrator dhe dy ose tre persona të tjerë që po e ndihmojnë me planet e biznesit dhe me organizmin e përgjithshëm. Mund të fillojë operimin nga një korriku e më tutje me objektet e para shtetërore që do të merren në ruajtje, sepse kujtojmë që edhe shumë objekte shtetërore, të cilat kjo shoqëri do t’i marrë në ruajtje, sot kanë kontrata që po vazhdojnë me shoqëri të tjera.”
Në një intervistë për Televizionin Tema Hodaj u shpreh se "Ilyrian Guard", e cila do të ofrojë shërbime sigurie fizike për të tretët, nuk do të konkurojë policitë private.
“Në fakt ne kur flasim për ruajtje të objekteve, ne flasim për ruajtje të objekteve shtetërore. Për momentin kjo shoqëri nuk ka ambicie të hyjë në tregun privat, por merr përsipër ruajtjen e objekteve shtetërore. Kur flasim për objekte shtetërore, flasim për para të buxhetit të shtetit, që shteti vendos t’i menaxhojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ka mundësi që edhe të zhvillojë sisteme, edhe të operojë në fushën IT, duke zhvilluar programe etj. Pra mundësitë për zhvillim dhe potencial e kanë goxha të madh. Varet këtej e tutje, nga mënyra se si do të menaxhohet dhe si do të zgjerohet.”
Ai shton se krijimi i “Ilyrian Guard" do t'i japë mundësi rinovimit të policisë së shtetit.
“Ne besojmë që do t’i garantojë një standard të ri tregut, do të sjellë një standard në treg ku edhe operatorët privatë që sot ekzistojnë do të detyrohen të adeguohen me këtë përshtatje. Avantazhi i dytë që na sjell është që na ndihmon edhe të rinojmë policinë e shtetit.”
Sipas tij javën e kaluar, qeveria ka nxjerrë një vendim për kategorizimin e institucioneve shtetërore dhe në bazë të këtyre kategorizimeve do të ofrojë shërbime "Ilyrian Guard".
“Qeveria ka marrë javën e kaluar një nismë dhe ka aprovuar një vendim për kategorizimin e këtyre objekteve shtetërore që do ruhen, sepse nga një analizë e bërë edhe nga strukturat e policisë rezulton që shumë objekte shtetërore nuk kanë nevojë të ruhen në këtë lloj forme, ruajtja fizike dhe siguria mund të kompesohet me sisteme apo me nëpunës recepsioni.”
Ilyrian Guard është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 19 prill të këtij viti me një kapital prej 100 milionë lekësh të vjetra. Administrator i "Ilyrian Guard" është Henrik Elmazaj, Ndërsa zëvendëmnistri Hodaj është anëtar mbikqyrës. Elmazaj nuk është një emër i panjohur për publikun. Ai është president dhe drejtor teknik i "Alsig Group" që operon në fushën e sigurisë fizike dhe tekonologjisë. Ndërkohë Elmazaj ka qenë gjithashtu shef i forcave Renea në vitet 1995-1997 dhe shef i forcave speciale në Ministrine e Brendshme në vitet 1997-2000 .



