
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në orët e para të mëngjesit së 15 qershorit ka mbërritur në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.
Rama së bashku me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, kanë udhëtuar me tren nga qyteti i Polonia, prej nga ku u bë nisja për në Ukrainë.
Dy krerët e Qeverive të Ballkanit Perëndimor u pritën nga forca të shumta ushtarake dhe delegacioni ukrainas.
Kryeministri malazez përmes një njoftimi në Twiter, publikoi një foto të dy kryeministrave në Kiev .
Mbërritëm në Kiev me Edi Ramën për të ofruar mbështetje të sinqertë për qytetarët e saj në mbrojtjen e të drejtës për liri.
Mali i Zi do të vazhdojë të ndihmojë Ukrainën në këtë kohë të vështirë dhe katastrofë humanitare.
Të shoqëruar nga delegacionet përkatëse, ata do të nisen fillimisht drejt rajonit të Buchas, ku masakra ruse është vërtetuar më së shumti.
Rama dhe Abazoviç do të vizitojnë zonat e bombarduara të Borodyanka-s dhe Irpin-it dhe ekspozitën për luftën ruso-ukrainase.
Më pas në orët e para të mesditës ata do të takohen me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Nga aty tre liderët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Vizita do të vijojë me takimin e kryeministrit të Ukrainës, Denys Shmyhal, dhe kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitschko.
Rama është i shoqëruar nga Elisa Spiropali, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Endri Fuga, Drejtor i Agjencisë për Media dhe Informim, Volodymyr Shkurov, Ambasador i Republikës së Ukrainës në Shqipëri, Dorjan Duçka, Këshilltar i jashtëm.



