Nisi sot në Tiranë Forumi i parë ballkanik kundër Antisemitizmit. Ky aktivitet është organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe në këtë forum marrin pjesë Sekretari i Shtetit të ShBA, Mike Pompeo dhe Presidenti i Parlamentit Europian David Sassoli.

Në fjalën hapëse, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në Konferencën Ballkanike kundër Antisemitizmit u shpreh sot se, “historia e komunitetit hebraik të Shqipërisë ilustron më së miri vlerat mbi të cilat është ngritur vendi ynë”.
“Shqipëria ka ruajtur gjithashtu një sërë vlerash kombëtare të qëndrueshme. Historia e komunitetit hebraik të Shqipërisë ilustron më së miri vlerat mbi të cilat është ngritur vendi ynë. Që në Shekullin e Dytë ka ekzistuar një prani e hebrenjve në Shqipëri, por në vitet 1930 numri i tyre është tkurrur në vetëm 200 persona. Menjëherë pas pushtimit nazist të vendit tonë, në vitin 1943, ata shpejt shenjëstruan hebrenjtë e Shqipërisë. Shqiptarët, të bashkuar, qëndruan përkrah bashkatdhetarëve të tyre hebrenj. Autoritetet shqiptare refuzuan të dorëzonin listat e hebrenjve, ndërsa shqiptarët e thjeshtë – myslimanë e të krishterë – rrezikuan jetët e tyre duke fshehur fqinjët hebre. Hebrenjtë e Shqipërisë jo vetëm mbijetuan, por numri i tyre u rrit në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, pasi shumë hebrenj u strehuan nga vendet fqinje dhe evropiane. Zonja dhe zotërinj, Populli shqiptar bëri një zgjedhje historike duke iu bashkuar aleancës më progresiste të kohës, gjatë Luftës së Dytë Botërore.”
Për Ballën, shpëtimi i hebrenjve nga nazizmi ishte një akt heroik i shqiptarëve, që na bën krenar.

Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij të mbajtur në Forumin Ballkanik Kundër Semitizmit, përmes “Skype” deklaroi se shqiptarët kanë mbrojtur me jetën e tyre hebrenjtë që erdhën në Shqipëri.
Rama thekson se shqiptarët dhe të gjitha kombet duhet të luftojnë ekstremizmin, për të ardhmen e përbashkët të popujve.
“Unë përfaqësoj Shqipërinë, që është mishërim i mbrojtjes së hebrenjve dhe i luftës së ekstremizmit të dhunshëm, që ushqehet që urrejtja ndaj civilizimit hebre. Shqipëria e sheh Izraelin dhe civilizimin hebre si shtyllë të bashkëjetesës. Shqiptarët e kanë parë bashkësinë hebraike si dritën e syve. Hebrenjtë u kthyen në Shqipëri në gur të çmuar, shabati ishte garantuar me të drejtë me ligj. Shqiptarët rrezikuan jetën për të mbrojtur hebrenjtë, ishin myslimanë dhe të krishterë, duke i mbrojtur edhe me jetën e tyre.
Ka episode, ku dy vëllezër shqiptarë strehuan një familje hebreje dhe përfunduan në kampe përqendrimi, duke pretenduar se ishin ata hebrenjtë, që ata kërkonin. Edhe në të tashmen duhet ta luftojmë antisemitizmin, për të mbrojtur vlerat dhe parimet tona. Ne inauguruam memorial dedikuar Holokaustit. Po punohet për një muze që do të nderojë komunitetin hebre e do të nderojë këtë miqësi, në të ashtuquajturën rruga hebreje”, deklaroi Rama.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dha një mesazh të fortë për rolin e shqiptarëve në luftën kundër anti-semitizmit. Gjatë fjalës së tij, në Konferencën Ballkanike Kundër Antisemitizmit, Pompeo tha se historia e Shqipërisë me hebrenjtë është një nder për vendin, ndërsa shtoi se tashmë puna duhet fokusuar tek të gjitha vendet myslimane, ku antisemitizmi është një problem real.
“Shqipëria, një mik i madh i SHBA-ve. Dha një ndihmë të madhe për hebrenjtë për t’i shpëtuar nazismit. Ju iu dhatë strehë. Pas luftës kishte më shumë hebrenj që jetonin në Shqipëri. Nder për Shqipërinë, trashëgiminë dhe historinë e saj. Por ne nuk jemi këtu të flasim vetëm për historinë por të ngremë zërin kundër antisemitizmit. Duhet të identifikojmë këtë problem dhe siç tha edhe Trump, është me rëndësi të të identifkohet dhe të ketë një fushë të barabartë për të gjitha shtetet. Ka një përhapje të antisemitizmit dhe në vendet me shumicë myslimane duhet të flasim në emër të tolerancës. Ka vendosmëri për të mbrojtur të drejtën e çdo burri dhe gruaje. Ju faleminderit. Zoti i bekoftë shqiptarët!”-tha Pompeo.
Në konferencë morën pjesë edhe kryeparlamentarët e Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Malit të Zi si dhe senatorë amerikanë, zyrtarë nga OKB dhe Mbretëria e Bashkuar.



