
Data 7 mars, njihet ndryshe si “Dita e Mësuesve”. Kjo festë kremtohet nga të gjithë shqiptarët, nxënësit në mbarë vendin, në shenjë vlerësimi të traditave më të mira të shkollës kombëtare shqipe, të figurës së nderuar të mësuesit si edukator i brezit të ri.
Kryeministri i vendit, Edi Rama ka uruar mësuesit në këtë ditë të shënuar, ndërsa thotë se përulet me mirënjohje për punën dhe sakrificën e tyre.
Gëzuar “7 Marsin” mësues të dashur, me përulësinë e mirënjohjen më të madhe ndaj Jush.
Edhe Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka uruar mësuesit në këtë 7 mars. Sipas ministres, mësuesit me misionin e tyre edukojnë fëmijët, mbjellin ëndrra dhe i frymëzojnë ata çdo ditë.
Gëzuar 7 Marsin dhe mirënjohje për ju të dashur mësues! Ju me misionin tuaj edukoni fëmijët tanë, mbillni ëndrra dhe i frymëzoni ata çdo ditë! Kjo video u realizua me kontributin e veçantë të nxënësve nga Instituti i Nxënësve që Nuk Shikojnë, Instituti i Nxënësve që Nuk Dëgjojnë, Shkolla Artistike “Jan Kukuzeli” Durrës, Shkolla e Baletit dhe Gjimnazi “Qemal Stafa” Tiranë.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka uruar mësuesit me rastin e 7 Marsit duke e cilësuar këtë ditë si ditë mirënjohje.
7 Marsi, Festa e Mësuesit, është një ditë mirënjohjeje. Për mësueset e mësuesit që vit pas viti, ditë pas dite, orë pas ore, me energjitë, talentin, vizionin dhe dashurinë e tyre përgatisin dhe edukojnë brezat e rinj, për të ndërtuar të ardhmen!
Deputetja Monika Kryemadhi ka uruar ditën e mësuesit përmes një postimi në Facebook.
Për të gjithë ju mësues kudo në Shqipëri një urim i veçantë, për sakrificën dhe punën tuaj të palodhur në edukimin e gjeneratës së re.




