
Irani ka sekuestruar me urdhër të gjykatës, cisternën në pronësi të SHBA-së, Advantage Sweet. Anija u kap nga Teherani në prill në Gjirin Persik.
Në bordin e cisternës kishte një ngarkesë me naftë të papërpunuar kuvajtiane me vlerë 50 milionë dollarë, e destinuar për kompaninë amerikane Chevron.
Vendimi erdhi pas ankesës së disa të sëmurëve nga Epidermolysis Bullosa (sëmundje e rrallë gjenetike që prek lëkurën) ndaj SHBA-së dhe ndalimit që ata vendosën për importin e barnave në Iran.
Sanksionet kundër Republikës Islamike, penguan shitjen në Teheran të fashave speciale mjekësore dhe produkteve farmaceutike nga një kompani suedeze.
Advantage Sweet kishte qenë në Gjirin Persik në fund të prillit, por gjurmët e tij nuk treguan ndonjë sjellje të pazakontë gjatë kalimit të tij përmes ngushticës së Hormuzit, ku kalon një e pesta e të gjithë naftës së tregtuar.
Konfiskimet dhe shpërthimet e anijeve kanë tronditur rajonin që nga viti 2019.
Incidentet në ujërat e zonës filluan pasi presidenti i atëhershëm amerikan Donald Trump tërhoqi në mënyrë të njëanshme Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga marrëveshja bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore, sipas së cilës Teherani kufizoi në mënyrë drastike pasurimin e uraniumit në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.



