
Studentët e godinave nr.4 dhe 14 në Qyteti Studenti janë lajmëruar nga Drejtoria e Konvikteve që të dalin prej tyre për shkak se iu është thënë se objektet do të rikonstruktohen.
Njëri prej studentëve që preken për shkak të nxjerrjes nga godina tha për mikrofonin e MCN Tv se ka katër vite që jeton në këtë godinë dhe është bërë si një lloj shtëpie për të.
Problemi qëndron te fakti që na kërkohet të lëmë godinën deri në 30 të këtij muaji dhe nuk na japin zgjidhje ku do shkojmë.
Të lësh studentët në këtë mënyrë nuk më duket njerëzore. Janë duke u rikonstruktuar godinat 22 dhe 23, dhe nuk na është thënë se nëse do shkojmë atje.
Thuhet se do mbarojnë në shkurt, po deri atëherë ku do vemi. Rikonstruktimi është kryesorja, kam katër vite dhe kemi jetuar në kushte jonjerëzore.
Ne jemi të parët që duam rikonstruksion, le të dalim ne, po të shkojmë diku. Pagesa ishte 45 mijë lekë të vjetra në muaj, varion sipas godinave, 50-55 mijë lekë.
Studentët jetojnë në kushte që nuk janë të jetueshme. Luks është të kesh dushin në dhomë.
Ne jemi të parët që themi dalim nga godina dhe le të rikonstruktohen se do jenë më të mirë për shokët tanë më pas.
Me dokumentacion jemi njoftuar një javë më parë, në mënyrë verbale dhe më përpara.
Pa dokumente po bëhen gjithë gjërat, nuk na thonë që në fillim që do rikonstruktohen dhe do dilni në këtë datë.
Jemi në mes të vitit akademik, nëse do mbylleshin këto godina të na thoshin pa nisur viti akademik.
Që të kishim kohë të merrnim shtëpi me qira apo ambiente të tjera.
Nuk kemi ndërmend të fusim familjet në kredi që të dalim me qira. Më duket jo e drejtë të bëhet në këtë lloj mënyre.



