Ndërsa epidemia e koronavirusit përhapet me shpejtësi në Europë, shpresat për një vaksinë duket se janë të zbehta. Kjo për shkak se një e tillë kërkon shumë kohë derisa të arrijë në fazën e fundit.
Më 2 mars, një grup drejtuesish të ndërmarrjeve bioteknologjike iu bashkuan Presidentit Donald Trump rreth të njëjtës tryezë ku takohet kabineti i tij. Ndërsa secili prej tyre e përqendroi fjalën e vet te ajo çfarë mund të bëhet në luftën kundër përhapjes së koronavirusit, Trump ishte më i interesuar të dinte saktësisht se sa shpejt mund të jetë gati një kundër-masë, pra një vaksinë.
Por vetëm një prej pëfaqësuesve të kompanive - Stéphane Bancel, drejtor i Përgjithshëm i Moderna Pharmaceuticals në Kembrixh, Massachusetts – tha se vetëm disa javë pas shpërthimit, kompania e tij kishte dorëzuar tashmë një vaksinë të mundshme për testim nga autoritetet shëndetësore.
"Pra, ju po thoni se gjatë muajve të ardhshëm, mund të keni një vaksinë?", pyeti Trump.
"E saktë", tha Bancel, kompania e të cilit po punon për zhvillimin e një lloji të ri vaksine me bazë gjenetike. Ai tha se është vetëm një çështje e "disa telefonatave" me njerëzit e duhur.
Ilaçet përparojnë nëpër dy faza: së pari testimi i sigurisë, pastaj testet më të gjera të efikasitetit. Bancel tha se ai nënkupton që një test i Fazës 2, një raund i hershëm i testimit të efikasitetit, mund të fillojë deri në verë. Por nuk ishte e qartë nëse Trump e kuptoi drejt.
"Ju nuk do të keni një vaksinë. Ju do të keni thjesht një vaksinë për t’u testuar", ndërhyu Anthony Fauci, kreu i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, i cili ka punuar si këshilltar për gjashtë presidentë, duke filluar me Ronald Reagan gjatë epidemisë së HIV-it.
"Sa kohë do të zgjaste kjo?", kërkoi të dinte Trump.
"Ashtu si ju kam thënë, një vit në një vit e gjysmë", tha Fauci. Trump tha se dy muaj do të ishte shumë më mirë.
Rasti i koronavirusit tregoi se si kompanitë bioteknologjike dhe ato të ilaçeve u hodhën në “luftë” për të kufizuar kërcënimin e infektimit duke përdorur teknologji të avancuara. Gjithashtu të pranishëm ishin përfaqësues të Regeneron Pharmaceuticals, CureVac dhe Inovio Pharmaceuticals, të cilët testuan një vaksinë me bazë gjenet kundër virusit Zika dhe thotë se një studim sigurie për vaksinën e re mund të nisë në prill.
Por përtej optimizimit, realitet është fakti se teknologjitë siç është ajo që po zhvillohet nga Moderna janë akoma të paprovuara. Askush, në fakt, nuk e di nëse do të funksionojnë.
Moderna prodhon “vaksina të mRNA”. Edhe pse metodat e saj janë shumë të përparuara dhe falë teknologjisë prodhohen shpejt, ato kurrë nuk kanë çuar në një vaksinë të licencuar për shitje.
Për më tepër, pavarësisht fillimit të shpejtë, çdo vaksinë duhet të dëshmojë se është e sigurt dhe se mbron njerëzit nga infeksioni. Këto hapa janë ato që mbyllen në linjën 18-mujore të përmendur Fauci. Ndërsa një test sigurie mund të zgjasë vetëm tre muaj, atëherë vaksina duhet t'u jepet qindra ose mijëra njerëzve në kulmin e një shpërthimi për të parë nëse marrësit janë të mbrojtur. Kjo mund të zgjasë një vit pa marrë parasysh se çfarë teknologjie është përdorur. / Technology Review /



