
Avokat Idajet Beqiri, për shkrirjen e gjykatave në rrethe nga 1 shkurti dhe përqendrimin e Apelit në Tiranë, thotë se problemi nuk është te numri i dosjeve, por se është krijuar një kolaps i rëndë prej mungesës së gjyqtarëve.
Nga studio e MCN Live, Beqiri tha se ata që planifikuan, bënë dispozitat ligjore përkatëse për reformën në drejtësi, se si do të zhvillohej vetingu, por se nuk i parashikuan dot mirë gjërat dhe për rrjedhojë, për hir të së përgjithshmes, të pastrimit të korrupsionit të lartë në gjyqësor dhe ku njerëzit nuk e merrnin dot drejtësinë, kemi kaluar tani në një fenomen shumë të rëndë.
Nuk po me arrin dot në afatin e caktuar drejtësinë dhe drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.
Problemi nuk është sa dosje janë, por sa gjyqtarë janë për të shqyrtuar këto dosje, në Gjykatën e Lartë po mbaron viti 2016, janë 7 vjet mbrapa, por ato shtohen se venë dosje të tjera në Gjykatën e Lartë.
Atëherë kur do e marrin drejtësinë këto njerëz. Vetëm unë kam 5 raste që nuk u ka ardhur radha për shqyrtim pensioni, fatkeqësisht kanë vdekur dhe ata presin akoma të marrin pensionin, është tragjike.
E njëjta situatë është në Apel. Kur ne u ngritëm në protestë, qytetarët ngrihen për çdo horrllëk politik, por për këtë çështje nuk ngrihen.
Nuk donim që të ishin dhe gjykata Apeli se ishin shumë, por të ishte 3 të paktën. Se për ne avokatët lehtësi e madhe është t’i kemi në Tiranë Apelet, por nuk u bëhet mirë qytetarëve.
Në Gjykatën e Apelit të Tiranës do krijohet një rrëmujë dhe Babiloni se dhe të arrestuarit nga Reçi dhe burgu i Sarandës nuk i bie dot në Tiranë, ku do i mbash se nuk ka vend.
Gjykata e Apelit në Tiranë është më e vogla në Shqipëri, ka vetëm një sallë gjyqi, se tre të tjerat janë zyra.
Apeli i Vlorës apo Apeli i Shkodrës, mund të jenë Apeli i gjithë Shqipërisë për shkak të infrastrukturës që kanë.
Kështu është kur bëhen gjëra që bëhen pa mend.
Sipas tij, duhet rregulluar sistemi i njoftimeve, se aktualisht gjykimet civile bëhen me shpallje, por se dikush nga Konispoli nuk mund të vijë në Tiranë çdo ditë dhe të shohë nëse u shpall gjyqi.
Njoftimet duhen bërë siç bëhen njoftimet penale, i vete njoftimi në shtëpi me adresë. Se kur merr njoftimin, gjen avokatin dhe merr masa.
Me shpallje nuk merr vesh qytetari, se qenka bërë një gjyq i tij dhe nuk i është dhënë e drejta që të mbrohet dhe të paraqesë pretendimet e veta.
Këto duhen rregulluar se po merren në qafë qytetarët.
Problemi më i rëndë është i administratës dhe institucioneve se kur qytetarët kanë gjyq kundër institucioneve, dhe institucioni e humb gjyqin në gjykatën e parë, nuk ka pse ta çojë formalisht në Apel dhe Shkallën e Lartë, si kur ke të drejtë, si kur nuk ke.
Por t’i je institucion e ke shkelur ligjin. Kur e sheh se qytetari ka të drejtë, nuk ke pse ta çosh në Apel dhe ta ngarkosh.



