Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, njoftoi sot se do t’i nënshtrohet injaksionit të vaksinës së Covid-19 më 27 dhjetor, duke hapur kështu një fushatë vaksinimi në shkallë kombëtare, që do të vijojë përgjatë muajve në vijim.
Në një takim me presidenten Katerina Sakellaropoulou, Mitsotakis tha se qeveria ka bërë një përpjekje të madhe dhe kolektive "për të siguruar që programi mbarëkombëtar i imunizimit të funksionojë sa më shpejt, të jetë efektiv dhe i sigurt".
Ai tha se sfida më e madhe do të ishte bindja e publikut se vaksina është e sigurt.
"Vaksina është aprovuar nga të gjithë autoritetet kompetente", tha Mitsotakis. "Unë jam zotuar ta bëj vaksinën në ditën e parë që ajo të vihet në dispozicion në Greqi", tha ai.
Disa udhëheqës botërorë janë vaksinuar live në televizion, në përpjekje për të rritur besimin e publikut te vaksinat Covid-19.



