Në mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Shqipërisë me atë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kryeministri Edi Rama deklaroi se lufta ka ardhur tek ne me çmimet stratosferike të energjisë në tregjet ndërkombëtare dhe me inflacionin e luftës që ka vënë në vështirësi vendet nga më të pasurat tek më pak të pasurat.
Ai deklaroi se është gjithmonë e më e qartë se nuk ka asnjë rrugë tjetër përballimi me sfidat e kësaj kohe, përveç bashkëpunimit, krijimit të sa më shumë sinergjive të reja dhe adoptimit me një situatë ku ne të gjithë në rajon jemi shumë të vegjël për të qëndruar me kurriz nga njeri-tjetri dhe kemi shumë për të bërë me njeri-tjetrin.
Sfidat tona janë gjithnjë e më të njëjta me vendet e Bashkimit Europian dhe është koha për të projektuar të ardhmen përtej luftës, duke kërkuar të gjitha vendet tona nga BE, që të na përfshijmë gjithnjë e më shumë në përpjekjen për t’i rezistuar qoftë goditjes së çmimit të energjisë elektrike, qoftë inflacionit të luftës.
Për të ndërtuar një plan të përbashkët që të na japë mundësinë të shohim përtej kësaj faze të vështirë, të zymtë, por edhe të pambarimtë.
Ballkani i Hapur na ka dhënë shumë mundësi të reja për të parë përtej të djeshmes, për të kuptuar si mund ta kapërcejmë të sotmen dhe njëkohësisht për të projektuar një të ardhme që të rrisë në maksimum aftësitë e vendeve tona që të përfitojnë nga një hapësirë shumë më e madhe se hapësira jonë e përveçme gjeografike.
Kemi parë rezultate të mira në kuadrin e marrëveshjeve të bëra për Ballkanin e Hapur, siç kemi qenë dhe do jemi mbështetës të palëkundur edhe për çështjet e Berlinit duke pasur mundësinë që t'i shohim të dy bashkë këto nisma si pjesë të njera-tjetrës dhe jo si përjashtuese të njëra tjetrës.
Është koha të projektohemi me shumë më tepër forcë në të ardhmen e përtej luftës.
Nga ana e tij Kryeministri Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski deklaroi se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk kanë qenë asnjëherë më të mira.
Sipas tij Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria janë shembull për të treguar se si ndërtohen marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Ai u ndal tek negociatat me Bashkimin Europian, duke deklaruar ashtu si filluan bashkë negociatat, duhet të çohen bashkë deri në fund.
Me anëtarësimin në BE do sigurojmë jetë cilësore, që të rinjtë të jetojnë këtu, jo në Europë por në vendin lindjes.
Duhet të ndërtojmë urat me fqinjët, Evropën, por edhe botën.
Si dy shtete fqinjë mund të ndihmojnë njëri tjetrin në zhvillimin ekonomik.
Me takimin e dytë në Shkup, avancojnë bashkëpunimi mes nesh në kohën e krizës globale dhe krizës ekonomike.
Sot do të firmosen memorandume në shumë fusha, atë që dua ta nënvizoj është një dëshmi për bashkëpunim tonë të mirë, për kthimin e ikonave të nxjerra në mënyrë të paligjshme nga vendi ynë.



