Sektori fason në Shqipëri po përballet me një nga periudhat më të vështira të viteve të fundit. Shifrat zyrtare të publikuara nga INSTAT përshkruajnë një panoramë të zymtë për industrinë tekstile dhe atë të këpucëve, teksa në dy vitet e fundit ky sektor ka humbur rreth 20% të fuqisë punëtore.
Rënia e ndjeshme e numrit të të punësuarve vjen në një kohë kur industria përballet me tkurrje të eksporteve, rritje kostosh dhe konkurrencë të ashpër në tregjet e huaja. Për një ekonomi që prej vitesh është orientuar drejt modelit eksportues, kjo situatë konsiderohet alarmante.
Në ‘MCN Economy’, eksperti i ekonomisë Pano Soko paralajmëroi për pasojat afatgjata të kësaj rënieje, duke e cilësuar atë si një goditje jo vetëm ekonomike, por edhe sociale.
Për çdo vend normal, rënia e industrisë duhet të jetë alarmante. Vendet në kufi me Shqipërinë kanë ndërtuar arkitekturën optimale të lëvizjes së ekonomisë drejt modelit eksportues, pra eksportojnë më shumë sesa importojnë, ndërsa Shqipëria po ecën në të kundërt. Kemi qenë sa gjysma e importeve, por nëse vazhdojmë me këtë ritëm shkojmë në një të pestën. Po shkojmë drejt 1990-ës dhe jo 2030-ës. Kjo është e rëndë, sepse do të na duhet ta nisim rrugën nga e para.
Sipas tij, dëmi nuk kufizohet vetëm te shifrat e eksporteve, por prek strukturën prodhuese të vendit dhe shpërndarjen demografike.
Ne kemi ndërtuar industrinë duke iu përshtatur shpërndarjes demografike. Është budallallëk të mendosh se një degë industrie mund ta zëvendësosh lehtësisht me një tjetër. Turizmi nuk shkon në Pukë apo në Gramsh, ai përqendrohet në Vlorë. Mbyllja e fasonëve është dëm i drejtpërdrejtë në shpërndarjen demografike.
Soko paralajmëroi gjithashtu për vështirësinë e rikthimit të kapitalit pasi ai largohet nga një sektor i caktuar.
Kapitali ka memorie. Në momentin që të braktis, e ka shumë të vështirë të rikthehet. Paraja, kur ikën, është e vështirë të kthehet pas. Rikthimi i kapitaleve në një industri të humbur është jashtëzakonisht i vështirë.



