
Zheni Gjergji, ish-deputete e Partisë Demokratike, është emëruar drejtoreshë e Spitalit Rajonal të Elbasanit.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë ajo përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thekson se ky ishte një vendim “profesional dhe njerëzor”, dhe se do të vijojë të japë kontributin e saj në fushën e mjekësisë.
Por, emërimi i saj ka ngjallur reagime dhe diskutime politike.
I ftuar në emisionin “MCN Live”, analisti Elton Metaj e cilësoi këtë si pjesë të një strategjie të qëllimshme të Partisë Socialiste për të tërhequr figura të Partisë Demokratike dhe për t’i përfshirë ato në administratë dhe qeverisje.
Kjo është një praktikë që PS e ka ndjekur shpesh: përfshirja e ish-funksionarëve të opozitës në pozita drejtuese në institucione publike, në një përpjekje për të dobësuar politikisht PD-në dhe për të dhënë idenë e një qeverisjeje gjithëpërfshirëse.
Kjo tendencë është e mirë menduar dhe e qëllimshme, dhe ka për qëllim të dërgojë një sinjal ndaj elektoratit opozitar se figura të njohura të PD-së janë të gatshme të punojnë me PS-në.
Të forcojë pozicionin politik të PS-së, përmes një lloj neutralizimi të kritikëve nga radhët e opozitës dhe të ushtrojë presion të brendshëm brenda vetë strukturave të PS-së, përmes emërimeve që vijnë nga jashtë partisë.
Sipas Metaj, nëse vendimi i ish-deputetes kishte të bënte me rikthimin si mjeke, mund të ishte i kuptueshëm.
Por emërimi në një post drejtues administrativ, pa u distancuar zyrtarisht nga karriera e saj politike, ngre pikëpyetje për motivet.
Ajo që më duket e tepruar në këtë rast është justifikimi i znj. Gjergji, që e paraqet këtë si një akt thjesht profesional.
Në këtë aspekt, madje më i sinqertë duket vetë Edi Rama, i cili e ka thënë qartë se është i hapur të bashkëpunojë edhe me figura të opozitës.
Ajo që mbetet për t’u parë është si do të reagojnë strukturat e PS-së në Elbasan, dhe si do të ndikojë ky vendim në perceptimin publik.



