
Kryeministri Edi Rama i argumenton ndryshimet e fundit në qeveri me nevojën për energji të reja.
Në një intervistë për gjermanen “Die Welt”, Rama zgjodhi një analogji me kombëtaren vendase të futbollit për të shpjeguar arsyen e zëvendësimit të 70% të ministrave të kabinetit të tij.
“Herë pas here kemi nevojë për energji të re, për lojtarë të rinj në fushë, në mënyrë që të mos bëjmë të njëjtin gabim si kombëtarja gjermane e futbollit pas fitores së Kupës së Botës”, është shprehur ai.
Në të njëjtën mënyrë, Rama i është përgjigjur edhe pyetjes lidhur me qëndrimin e shqiptarëve në lidhje me BE-në. Krahasimin, ai ka zgjedhur ta bëjë me marrëdhëniet në çift.
“Ende e duam Evropën. Jemi gjithmonë të gatshëm për të dhënë PO. Jemi akoma të dashuruar, pasi nuk jemi martuar akoma. Pas martesës, do e shohim nëse do jemi ende të lumtur”, ka thënë ai.



