
Kastriot Çipi tha në studion e emisionit “Arnautistan” të gazetarit Mustafa Nano se nuk sheh një zgjidhje të afërt për konfliktin në Ukrainë dhe atë në Gaza në një kohë kur Europa bashkë me SHBA-të ka zellin për ta çuar buxhetin e mbrojtjes në 5% të GDP-së.
Sipas Çipit, prirja për armatosje që ka Europa do të thotë prirje për luftë.
"Shpresoj që konflikti Iran Izrael të jetë mbyllur. Nuk e di akoma. Trump ka thënë që do të mbyllë dhe konfliktin në Gaza shumë shpejt. Të shpresojmë që do të zgjidhet dhe konflikti në Ukrainë, por unë zgjidhje të afërt shumë shoh për asnjërin, aq më tepër kur Europa bashkë me SHBA-të ka zellin për ta çuar buxhetin e mbrojtjes në 5% të GDP-së. Në rastin e Shqipërisë përkthehet në rreth 13% të buxhetit të shtetit. Shifër e frikshme. Në radhë të parë shqetësohem për Shqipërinë se jeta ime ndikohet nga vendimet e qeverisë shqiptare më shumë sesa nga vendimet e Komisionit Europian apo të qeverive europiane. Nuk jam i kënaqur me prirjen që ka Europa për t’u armatosur se prirja për armatosje do të thotë prirje për luftë".
Sipas Çipit, Perëndimi nuk ka përdorur të njëjtat standarde për konfliktin në Ukrainë dhe atë në Iran.
"Pse ka të drejtë Amerika ta sulmojë Iranin dhe jo Rusia-Ukrainën?! Po flas për standardin e dyfishtë të Perëndimit, të NATO-s, të BE-së, të gjithë qeveritë Perëndimore në Europë, përfshirë Kanadanë, përfshirë SHBA-të. Nga njëra anë thonë s’ka të drejtë Rusia të ndërhyjë në Ukrainë, nga ana tjetër shkojnë dhe bombardojnë Iranin dhe thonë shyqyr që e bëri Izraeli punën e pistë për ne.Ato që kanë ndodhur në Ukrainë nga 2014 dhe më pas e kanë gatuar neoliberalët e Europës dhe SHBA. Më e spikatura është Victoria Nuland.
Më tej Çipi tha se vendimi për t’i çuar shpenzimet e mbrojtjes së 5% i shtohet marrëzive të tjera që Europa i ka nisur me kohë.
"5% i shtohet marrëzive të tjera që Europa i ka nisur me kohë. I kishte dhe Amerika para Trump dhe rrezikon të ketë të tjera pas Trump".



