
Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka përsëritur kritikat ndaj administratës Obama në lidhje me kapjen e liderit të Al Qaeda-s, Osama bin Laden. Trump është shprehur se Bin Laden duhej të ishte kapur shumë kohë para vitit 2011.
“Sigurisht, ne duhej ta kishim kapur Bin Ladenin shumë kohë më parë. E kam vënë në dukje këtë fakt në librin tim shumë kohë para se të ndodhte sulmi terrorist mbi Kullat Binjake. Presidenti Klinton nuk ia doli. Ne i kemi dhënë Pakistanit miliarda dollarë dhe ata kurrë nuk na treguan se Bin Laden jetonte në vendin e tyre. Budallenj!”, shkroi Trump në një status në Tuiter.
Trump thotë më tej se me Amerikën nuk mund të ketë një marrëdhënie “marr dhe nuk jap asgjë në këmbim”.
“Ne nuk i japim më Pakistanit miliona, sepse ata do t’i merrnin dhe nuk do të bënin asgjë për ne në këmbim. Bin Laden ishte shembulli i parë për këtë. Afganistani është një shembull tjetër. Ata janë vetëm një nga shumë shtete që marrin nga SHBA-të pa dhënë asgjë në këmbim. Kjo do të marrë fund!”, shkruan Trump më tej.
Operacioni që përfundoi me ekzekutimin e Bin Ladenit në vitin 2011 i dha fund një ndjekjeje 10-vjeçare për kapjen e “trurit” të sulmeve të 11 shtatorit 2001. Ekzekutimi i Bin Ladenit u pa si triumph për ish-presidentin Barak Obama.



