
Disa kryetarë të degëve të PS-së në rrethe mësohet të jenë shkarkuar gjatë mbledhjes së Kryesisë së PS-së mëngjesin e sotëm. Nënkryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, u shpreh se janë shkarkuar disa kryetarë degësh të PS-së, por lista do bëhet publike në një moment të dytë.
“Vihet re një shkëputje nga disa territore, drejtuesve politikë u është kërkuar prezencë e tyre. Sidomos nga bashkitë që drejtohen nga opozita, ku vihet re një degradim i madh i pushtetit lokal me qytetarët. Ne s’kemi opozitë dhe nuk mund të presim lindjen e opozitës që të vendosim gishtin në plagët e qeverisjes lokale por edhe qendrore ku ka nevojë për ndërhyrje. Është e rëndësishme që paralelisht punohet dhe më familjen tonë të madhe politike në territor. Ne kemi shkarkuar kryetarë degësh të PS, por nuk e kam listën. Ajo do bëhet prezente më vonë”, tha Spiropali.
“Drejtorët që na nxinë fytyrën”, Rama mbledh Kryesinë e PS-së
Ashtu siç ishte paralajmëruar, Kryesia e PS-së është mbledhur mëngjesin e sotëm në selinë rozë.
Mbledhja u thirr dje nga kryeministri Rama pas arrestimit të ish-drejtorit të përgjithshëm të burgjeve, Arben Çuko dhe ish-deputetit Arben Ndoka.
Mësohet se Rama ka kërkuar një raportim të detajuar në lidhje me emërimet si e drejtorëve rajonalë.
Një ditë më parë, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Rama e shfaqi hapur pakënaqësinë lidhur me punën e disa drejtorëve, të cilët sipas tij kanë njollosur performancën e socialistëve në qeverisje.
Rama ka folur ashpër për të korruptuarit dhe ata që kanë dështuar në drejtimin e institucioneve shtetërore.
“Kemi ca drejtorë legena që po na nxijnë fytyrën me korrupsion e keqmenaxhim”, raportohet të ketë thënë kreu i PS-së gjatë mbledhjes.



