
“Fox News” ka zbuluar letrën e paqes që Zonja e Parë e SHBA-ve Melania Trump i dha Presidentit rus Vladimir Putin, gjatë samitit që u mbajt në Alaskë. Letra mbyllet me një apel që ajo i bën shefit të Kremlinit që t’i shërbejë jo vetëm Rusisë, por gjithë njerëzimit, duke u kthyer fëmijëve të qeshurat e tyre melodioze. Ajo vë në dukje se lideri rus e ka mundësinë ta realizojë këtë gjë sot, "me një të rënë të lapsit".
Letra nis me fjalët: “I dashur President Putin”, duke vijuar:
“Çdo fëmijë ndan të njëjtat ëndrra të paqta në zemrën e tij, pavarësisht nëse rastësia ka bërë që të ketë lindur në fshatin rural të një vendi, apo në qendrën e një qyteti madhështor. Ata ëndërrojnë për dashuri, mundësi dhe siguri ndaj rreziqeve”.
"Si prindër, është detyra jonë të ushqejmë shpresën e brezit të ri. Si udhëheqës, përgjegjësia për të mbështetur fëmijët tanë shtrihet përtej rehatisë së disa njerëzve", vazhdon letra.
"Padyshim, ne duhet të përpiqemi të pikturojmë një botë të mbushur me dinjitet për të gjithë, në mënyrë që çdo shpirt të mund të zgjohet në paqe dhe që vetë e ardhmja të jetë e mbrojtur në mënyrë të përsosur," shkruhet në letër.
"Një koncept i thjeshtë, por i thellë, z. Putin, me të cilin jam e sigurt se jeni dakord, është që pasardhësit e çdo brezi ta nisin jetën e tyre me pastërti dhe pafajsinë që qëndron mbi gjeografinë, qeverinë dhe ideologjinë."
Zonja e Parë vazhdon duke shkruar: “Në botën e sotme, disa fëmijë detyrohen ta përmbajnë të qeshurën, të paprekur nga errësira përreth tyre, një sfidë e heshtur kundër forcave që potencialisht mund të uzurpojnë të ardhmen e tyre”.
"Z. Putin, ju mund të riktheni të qeshurat e tyre melodioze", shkroi Zonja e Parë, duke e mbyllur letrën me fjalët:
"Duke mbrojtur pafajësinë e këtyre fëmijëve, ju do të bëni më shumë sesa thjesht t'i shërbeni thjesht Rusisë, do t’i shërbeni vet njerëzimit. Një ide kaq e guximshme tejkalon të gjitha ndasitë njerëzore, dhe ju z.Putin e keni mundësinë ta realizoni këtë vizion sot, me një të rënë të lapsit. Është koha. Sinqerisht, Melania Trump".



