Rënia e organizatës së Suel Çelës?/ Atentati perfekt ndaj Ardian Çapjes. Zbardhen bisedat, “Jemi për të fillu punë tek FBI”

Rënia e organizatës së Suel Çelës?/ Atentati perfekt ndaj Ardian Çapjes. Zbardhen bisedat, “Jemi për të fillu punë tek FBI”

Ai është vetëm 36 vjeç dhe kontrollon një perandori kriminale që shtrihej në disa vende të Europës Perëndimore dhe Shqipëri.

Suel Çela, i njohur edhe si Marjus Lulaj kontrollonte në detaje një qytet si Elbasani, vendi i origjinës së tij ku kishte vendosur diktatin e tij prej vitit 2016 dhe organizata e tij kriminale kishte në dorë çdo gjë duke filluar nga aktivitete kriminale, policinë, prokurorinë dhe gjykatën lokale.

Beteja e parë e grupit të Suel Çelës për të sunduar Elbasanin ishte me grupin rival të fisit Çapja, anëtarët e të cilit kërkoheshin të vdekur me çdo kusht.

Emisioni “Kronos” në MCN TV thotë se revanshi ndaj tyre nisi në 3 shkurt të vitit 2016 ku në një sulm me armë u vranë tri pjesëtarë të grupit të Çapjave dhe u plagosën disa të tjerë.

Një atentat që nuk ishte parë asnjëherë më parë për shkak të mënyrës agresive, pasojave që la pas dhe goditjen e fisit Çapja në zonën e tyre më të sigurtë.

Kjo është një ngjarje e cila sot është ende pa autor e cila u pasua edhe nga disa ngjarje të tjera të rënda ndaj pjesëtarëve të Çapjave, edhe ato pa autor deri një javë më parë.

Zbardhja e bisedave nga aplikacioni Sky Eç, e cila është indicia kryesore që ka prokuroria e posaçme për të goditur grupet kriminale ka bërë që të zbardhë ngjarje kriminale që kanë ndodhur në Elbasan dhe ti japë një orientim të ri pistave hetimore për ngjarjet kriminale që kanë tronditur këtë qytet.

Por jo vetëm Elbasanin konflikti mes këtyre dy grupeve ka prodhuar krimin edhe në vendet e Bashkimit Europian, ku janë kryer edhe vrasje për llogari të tyre.

Shkodimi i aplikacionit Sky i ka sjellë shumë probleme krimit të organizuar shqiptare pasi organizatat kriminale kanë folur aty lirshëm për vrasje, trafik droge, korruptimin e sistemit të drejtësisë, policisë.

Gjithashtu ata kanë pasur ndikimin tek politika në mënyrë që t’i mbyllin problemet me drejtësinë apo të përfitojnë nga tenderat dhe të mira të tjera publike me qëllim pastrimin e parave që vijnë nga aktivitete të jashtëligjshme, kryesisht trafiku i kokainës.

Përdorimit të platformave të enkriptuara të komunikimit nuk mund ti shpëtonte as Suel Çela dhe pjesëtarët e organizatës së tij kriminale e cila prej vitesh merrej me trafikun e kokainës nga Amerika Latine në Europën Perëndimore.

Por fillimisht do të ndalemi tek ngjarjet kriminale që janë zbardhur në qytetin e Elbasanit, të cilat janë të denja për një skenar filmi nga mënyra se si janë planifikuar.

Objektivi kryesore i Suel Çelës është Ardian Çapja, për të cilin anëtarët e grupit kriminal thonë se kanë dy vite plane për ta ekzekutuar, pasi me vrasjen e tij grupi rival i tyre do të merrte goditje shumë të fortë.

Komunikimet janë të vitit 2020 dhe duke qenë se Çapja ruhej dhe dilte shumë pak nga banesa e tij ata po hasnin vështirësi për të kryer vrasjen.

Sule Çela në këtë episod rezulton se ka informacione edhe për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në Shqipëri, një ndër to vrasja e Kastriot Reçit në Rrëshen, i cili u ekzekutua me snajper. Madje në bisedat e zbardhura ai thotë se autori i kësaj ngjarje është malazez dhe se ishte i aftë për goditur nga 1 mijë metra.

Nga bisedat dyshohet se Marjus Lulaj ka kontraktuar këtë qitës për realizimine një vrasje me të njëjtën mënyrë si ajo në Rrëshen por në 5 raste nuk ka patur sukses” - Prokuroria e Posaçme

Gjatë shkurtit të 2020 bisedat mes anëtarëve të grupit bëhen më të shpeshta sa i takon organizimit të vrasjes së Ardian Çapjes, i cili është survejuar dhe filmuar. Kjo zbulohet nga një bisedë e Suel Çelës dhe Klaus Matishit.

“Ta shohësh ariun si kapërcen gardhet , si k.. llogarit në shtëpi të vet nuk është i sigurtë”- Prokuroria e Posaçme

Bisedat mes këtyre dy personave vazhdojnë ku objektivit të tyre i drejtohen me disa pseudonime si xhindi apo ari.

Suel Çela e shikon si të lehtë arritjen e objektivit te tij duke i dërguar sërish një foto e cila është shkrepur pranë banesë së Çapjas.

Pardje ka dalë pak, ka marrë ajër dhe ka taku korçarin, i ka dhënë udhëzimet. O ded e kam në tavë ki pak durim. Ti se ke idenë sa është liru xhindi tani se ndihet rehat”- Prokuroria e Posaçme

Korçari në këtë bisedë është Elvis Koçi, lidhje e afërt e Ardian Capjes për të cilin thonë e kanë të lehtë për ta eliminuar pasi nuk ruhet.

Gjerat për të kryer ekzekutimit fillojnë të bëhen me konkrete rreth muajit maj të vitit 2020 ku Xhino Roka, një nga pjesëtarët e grupit të Suel Çelës i shkruan Kalus Matishit se në qytet do vinte vrasësi i kontraktuar.

“Nesër vjen mjeshtri, pasnesër jemi për punë. Është gati e gjitha, vetëm shih lajmet”- Prokuroria e Posaçme

Snajperisti vendoset në një vend përballë shtëpisë së Ardian Çapjes dhe kaq qëndruar atyre për më shumë se një orë e gjysmë. Ai nuk ka fushë pamje të qartë për shkak se nuk e kanë lënë degët e një pemë dhe arrin të shohë vetëm kokën.

Ata nuk kanë dashur të rrezikojnë për shkak se i zbulohej vendi ku ishte vendosur snajperisti dhe do ishin të detyruar ta kryenin vrasjen në mënyrë të përgjakshme.

Puna është se vendi ku jemi ne është delikat, po shyqyr deri tani nuk është djegur. Përveç kësaj mënyre vetëm 5 veta ti hyjmë talebanshe, e maron pastaj”- Prokuroria e Posaçme

Data 8 qershor është dita e madhe për personat të cilët marrin pjesë në organizimin e këtij atentati. Zgjimi në këtë ditë bëhet shumë herët dhe secili merr detyrën që i është caktuar nga Marjus Lulaj.

Ledio Zabeli, Xhino Roka, Marsel Roka, Sergej Hasanpapaj, Mario Çela, Klaus Matishi, Fuad Verzivoli dhe snajperisti Prek Kodra, i cili është ekzekutuesi.

Suel Çela komunikon me një person të paidentifikuar ende nga prokuroria ditën e ngjarjes ku i thotë se Ardina Çapja ka shpëtuar sërish.

Mgjes shoku, mirë si je ti, ka shpëtu prap k....”- Prokuroria e Posaçme

Gjithashtu ai ka një komunikim me Klaus Matishin nga telefoni Sky i të vëllait, Marios ku i shkruan.

He ded, do ftofi, do ftofi i maroi koha bastardit, koha e magjistarit pra, jam deda madh, ç’të jetë e shkrume, u ba me mundim dhe përkushtim, s’kam pishman, ik rri rehat ne do të fitojmë si do të jetë”- Prokuroria e Posaçme

Ai ka një komunikim tjetër për një person që nuk është identifikuar ku i thotë se kundërshtari i tij është jashtë rrezikut për jetën.

Jashtë rrezikut për jetën, 1 cm larg zemrës s’ka gjë nga koka jo, është vra kur ka rënë në tokë, shejtan, djall, ne punë tjetër s’kemiProkuroria e Posaçme

Plani për ekzekutimin e Ardian Çapjes ka qenë perfekt sipas tyre dhe policia nuk ka asnjë provë që mund t’i çojë drejt tyre.

Xhino Roka shkruan me Klaus Matishin duke i thënë se ata duhet ti marrë në punë FBI pasi plani ka qenë shumë i mirë dhe këtë ia kishte konfirmuar edhe një punonjës policie.

Kanë vetëm kamerat që dy veta me kapuça ikin drejt Peqinit, jo s’ka qenë e vjedhur, po me targa të tjera, pastaj hyni në Elbasan me targa të tjera, origjinale. Më tha polici tani, organizim perfekt, s’kanë asgjë, kanë gjet vendin nga ku është gjujt gjoja, por nuk është vendi jonë. O zemra ne jemi për të fillu punë tek FBI”- Prokuroria e Posaçme

Prokuroria ka të renditur si provë edhe komunikimet mes Suel Çelës dhe autorit të plagosjes Prekë Kodra.

Komunikimi i parë mes tyre pas ngjarjes behet në muajit korrik të vitit 2020. Në këtë bisedë ai kërkon inicialet dhe pasi konfirmon që është ai zhvillon këtë bisedë.

Si je shok, a je magjistari, me thuaj inicialet e emër mbiemër? Si je mos shok doja të isha i sigurtë, na bllokun enkrot, shyqyr që je mirë, do ma bësh hallall flasim nga mbasditja se jam me ca njerëz”- Prokuroria e Posaçme

Janë zhvilluar disa biseda të tjera ku në fokus ka qenë atentati nda Ardjan Çapjes. Ndërsa Suel Çela e këshillon që të mos përfshihet në ndonjë punë të fisit Bajri në Shkodër pasi me ata është ose në varr, ose në burg.

Si në çdo grup tjetër të goditur nga SPAK deri tani nuk mund të mungonin efektive policie që bashkëpunojnë me ta.

Sërish del emri i Dedan Gjonit i cili në këtë kohë ai mban detyrën e zv/shefit të komisariatit të Elbasanit. Rezulton se ai jep të dhëna për veprimet hetimore që kryen për këtë ngjarje tek anëtarët e grupit dhe ndikon për të ndërhyre tek zyrtarë të tjerë të policisë për të ndihmuar pjesëtarë të tjerë të cilët ndodhen në burg.

Për këtë ai ka marrë dhuratë një makinë dhe përfitime të tjera.

Ai miku i tha paska Xhinos dje, kanë avancu pak me kamerat por asgjë konkrete, është bërë me tre makina kalimi për Tiranë, jo as targa ka qenë më targa falso dhe po të jetë kap, vetëm kur është kthy makina ka qenë me targat e veta, shumë e hollë ta kapin ata të marumit”- Prokuroria e Posaçme

 Provë shumë e rëndësishme e SPAK në zbardhjen e këtij episodi është dëshmia e Erion Alibej, i cili ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Ai tregon që është takuar me Suel Çelën pas ngjarjes së vitit 2016 ku vranë tre anëtarët të fisit Çapja dhe urrejtja për këtë familje i kishte zanafillat shumë herët.

E kam pyetur se përse kishte nisur konflikti me Çapjat dhe Sueli më thotë që kur babai i tij Petrit bënte vrap në Krastë, anëtarë të fisit Çapja që Sueli i referohej “katnarët” kanë dashur ta vrasin. Por tani kujtoj që edhe para 2016, Sueli ka patur urrejtje për Florenc Çapjan, Bledar Muçën dhe Ardian Çapjan. Kjo urrejtje me sa më ka shpjeguar ka lindur që në momentin që është vrarë Dritan Sheme. Sueli megjithëse në moshë të re ku Dritan Sheme ishte gjallë, e kishte Dritanin idhull”- Prokuroria e Posaçme

Erion Alibej flet edhe plagosjen e Ardina Çapjas me snajper. Ai tregon se ka biseduar me dy vëllezërit Suel dhe Mario Çela.

“Ditën e ngjarjes kam komunikuar me Mario Çelën. Me është fiksuar në mendje fraza që më tha Mario, shpirt mace paska pasur, shpëtoi prapë. Kam ndenjur me Suelin dhe kemi biseduar për gjera të ndryshme mes tyre dhe për atentatin ndaj Çapjas, bashkë me në ka qenë edhe Mario Çela. Unë hapa bisedën duke i thënë pasi more të shpëtoi prapë ai. Sueli mu shpjegua se motivi pse nuk ishte afruar tek shtëpitë e Çapjave ishte prania e kamerave në zonë”- Prokuroria e Posaçme

Ai ka dhënë të dhëna edhe për Prekë Kodrën, duke qenë se dhe atij i duhej një snajperist pasi kishte të hapur konfliktin me vëllezërit Franc dhe Hjadar Çopja.

###

Asgjësimi i njerëzve më të rëndësishëm të kundërshtarëve të tij ishte detyra kryesore që kishte grupi i Suel Çelës.

Bled Muça ishte ndër objektivët me i rëndësishëm dhe për këtë dyshohet se është bërë një organizim për ta vrarë në Belgjikë.

Ledio Zabeli dyshohet se e ka parë objektivin e tyre ne Bruksel dhe në bisedë Suel Çela i thotë se duhet ta duhet ta vrasë dhe se ai do të sigurojë të gjitha që tek armët dhe maskat.

“Dak bane k.... po tu dha mundësia, s’është fundi botës, aty s’ka burg t’madh, bajm bingo me atë rob q..., san vin ma kjo mundësi, merr Sergein plasiani kokën. Ti e di sa i rëndësishme është ai ku..., do ti nis brenda javës i kë aty, të gjitha hekër, maskën. Nuk ka qenë e shkrume të maronte aty rob q...”- Prokuroria e Posaçme

Më pas mes tyre komunikohet sërish ku dërgohet edhe fotoja e sistemit TIMS e Bled Muçës gjë e cila tregon nivelin që organizata e Suel Çelës ka në agjencitë shtetërore që kanë akses në informacion kaq sensitiv.

Ndërsa po nga sistemi TIMS ata kanë marrë vesh që objektivi i tyre ka qenë në Shqipëri në atë periudhë, duke e ngatërruar me të vëllanë. Serish Suel Çela i shkruan Ledio Zabelit.

“Shyqyr që nuk e kape vëllain e Gollos atë ditë, nuk do bënim asnjë dëm dhe ti do rrezikojë 7 vite burg, jo pra s’ka qenë Gollo, Bledi, ka qënë i vëllai. Gollo u vërtetu nga sistemi ka hy në datën 4 mars në Shqipëri”- Prokuroria e Posaçme

Po grupi ka një tjetër plan për të eliminuar ndër njerëzit më të rëndësishëm të grupit rival dhe ky plan do të realizohet në Elbasan.

I menduar në detaje dhe informacioni për lëvizjet e kundërshtarit është në nivele maksimale. Në qytet do të prishej një ndërtim pa leje për të cilin Bled Muça kishte interes dhe do të ishte aty kur kjo të ndodhet në formë presioni.

Në këtë situatë Xhino Roka do të provokonte një konflikt mes një personi të quajtur Geri dhe objektivit të tyre dhe vrasja do të kryhej për vetëmbrojtje.

Xhino Roka komunikon me Klaus Matishin ku i tregon planin i cili dështoi për shkak se Bled Muça nuk kishte shkuar.

“Sot prisnim të vinte Gollon në mgjes do e bënin me declare, nuk erdhi ku…. Të një ndërtim pa leje, kishte bërë presion mos e shem, do e vriste Geri në vend, një shoku im, nuk e njeh ti”- Prokuroria e Posaçme

Ky plan konfirmohet edhe nga një bisedë që Suel Çela ka bërë me Klaus Matishin. Disa ditë pas kësaj ata komunikojnë sërish dhe nga biseda kuptohet që Bled Muça është shumë i rëndësishëm dhe se ai është i gatshëm të paguaj deri në 500 mijë euro.

Bled Muça është vrarë në Belgjike në 22 janar të 2022 dhe në Belgjikë për këtë ngjarje janë arrestuar Mario Çela, Marsel Daka dhe Sergej Hasanpapaj, të cilët prokuroria thotë që janë bashkëpunëtorë të afërt të Suel Çelës.

“Ded ti thotë sa lek do, vëre shifrën, na shit Bled Muçën, për Lencin nuk paguajmë se është kot, paguajmë pak për Lencin. Ata kanë miq në Kosovë, po Bledi, jo Lenci, dimë që kanë kërku gjujtsa në Kosovë, te ajo shoqata e luftës që kanë ngel sakatë. Ded me Gollon po të duan ata kanë mundësi, ti premtojmë 500-çen”- Prokuroria e Posaçme

Në hierarkinë e persona që duhet të vriten nga fisi Çapja, i pari është Ardiani, i dyti është Bled Muça dhe më pas vjen Elvis Koçi, i njohur me nofkën “korçari”.

Në nëntor të vitit 2020 grupi i Suel Çelës merr vesh që drejt Tiranës me ambulancën e Covidit po transportohen familjarë të fisit Çapja. Xhino Roka i kërkon, Metin Mehjes që të marrë informacion nëse ambulance shoqërohej nga Korçari.

###

Një strukturë e tillë e ngritur nga Suel Çela nuk mund të qëndronte në këmbë pa para. Burimi kryesorë i financave të saj është trafiku i drogës e cila kryhej nga Amerika Latinë drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Dy episode ka mundur të faktojë SPAK ku në njërin rast janë trafikuar 925 kilogramë kokainë dhe në tjetrin 447.

Do ti marrim me radhë dhe do të fokusohemi tek rasti i parë i trafikut ku persona e identifikuar Suel Çela, Bujar Shega, i njohur edhe si Marsel Shega, Gazmend Disha, Renato Hasani dhe Hajdar Lala.

Sasi prej 925 kilogramë kokainë është kapur në Ekuador në datën 13 dhjetor 2020, pasi është identifikuar dhe nga autoritete atje dhe si pasojë u arrestuan 4 persona.

Duhet thënë se Suel Çela në këtë ngarkesë do të investonte vetëm për 50 kilogramë, ndërsa Hajdar Lala 10 kilogramë.

Gazmend Disha ka patur rolin e marrësit në dorëzim dhe shpërndarjen në tregun europian të 50 kilogramëve që i përkiste Suel Çelës.

Renato Hasani do të merrej me bashkërendimin e punës me Dishën së bashku me persona të tjerë të paidentifikuar.

Pjesën më të madh të drogës në këtë ngarkesë sipas llogarive të prokurorisë i ka Bujar Shega i cili ka rolin e bashkëfinancuesit dhe organizatorit të transportit në këtë rast së bashku me persona të tjerë që nuk janë identifikuar deri në këtë moment.

Seul Çela zhvillon disa biseda më anëtarët e grupi të tij për të gjetur para më të cilat do të paguante Bujar Shegën.

Në muajin nëntor mes tyre zhvillohet një bisedë për një sasi kokainë e cila nuk ka mbërritur në destinacion, ku ortakë në të janë Marsel Shega dhe Xhino Roka, bashkëpunëtor i Suel Çelës. Bujar Shega komunikon me Çelën ku i shkruan.

“Do ta zbardh këtë punë se s’bon, jo se menoj ku të ken dor kto. Po i thashë unë nuk përjashtojë asnjë dhe asgjë thashë. Në këtë moment jemi bashkë dhe të gjejmë ku na ka çalu puna. Po atë uroj dhe unë se po pat hile do ti q... motra. Me kokë robi do dali”- Prokuroria e Posaçme

Në datën 13 dhjetor 2020 niset ngarkesa tjetër me 1300 kilogramë nga Ekuadori dhe mes Suel Çelës zhvillohet dhe Marsel Shegës zhvillohet një bisedë ku ky i fundit e njofton se kokaina është nisur.

Në 14 dhjetor ata flasin sërish ku Sehga e njofton se lënda narkotike është kapur nga agjëncitë ligjzabtuese ekuadoriane.

Mjesi vlla, po e nis me lajm të keq. Puna që hypi na ka ra, spo erdhi ai i hypjes më takoj, do më sqaroj më mirë për detajet, do kaloj nga ty pastaj”- Prokuroria e Posaçme

Suel Çela në një tjetër bisedë i kërkon Bujar Shegës që të shikojë detajet se kur u nis ngarkesa dhe kur u kap. Ndërsa Shega i thotë që drogën e kapur e kanë dhënë lajmet dhe do të dali në gazetë.

Por diçka nuk ka shkuar siç duhet me këtë ngarkesë pasi sasia e kapur nga policia ekuadoriane nuk përputhet me atë të cilën është ngarkua. Ata kanë dyshime se një pjesa e drogës rreth 400 kilogramë të jetë vjedhur.

Ende pa marrë veten nga humbja e ngarkesës së parë Suel Çela i kthehet punës për trafikuar një sasi tjetër kokaine. Kontakti i tij në Ekuador këtë radhë është Ergys Dashi, i cili janar të vitit 2022 u vra në Ekuador.

Bisedat mes të dyve zhvillohet në janar të 2021 ku Ergys Dashi i tregon detaje për drogën e kapur me kë e kishte pasur, madje në bisedë ai thotë se një person është vrarë në Ekuador në lidhje për këtë çështje.

“E vranë atë shefin e madh të atij, ai që boni punën vdiq. Ai mo burr atij iu kapën 1.3-shja, i di unë të gjitha ça kapen këtu o plak”- Prokuroria e Posaçme

Pas kësaj bisede nis puna për trafikimin e 446 kilogramëve kokainë dhe në këtë sasi Suel Çela do të investonte vetëm për 100 kilogramë.

“Nga bisedat dyshohet se Marjus Lulaj do të përfshihet në blerjen e 100 kilogramëve kokainë me çmim 5500 euro për kg si dhe do angazhohet në shitjen e të gjithë sasisë së lëndës narkotike sapo të mbërrijë në Europë. Në sasinë e lëndës narkotike do të jetë pjesëmarrës edhe Ervin Mata”- Prokuroria e Posaçme

Ervin Mata është një tjetër personazh i rëndësishëm i trafikut të kokainës dhe i shpallur në kërkim nga SPAK për raste të tjera.

Në datën 5 janar 2021 Ergys Dashi njofton Suel Çelën se kontejneri do të kalojë në kontroll dhe ngrenë dyshime se dikush ka qenë në përgjim telefonik ose ambiental. Ndërsa puna në Ekuador sipas tij është bërë me ndihmën e autoriteteve.

“Ka diçka që nuk shkon o vlla, nuk e di pse kanë shku kshu se ka ardh me jeshile çdo gjë, ka diçka që nuk shkon. Dikush nga neve është në përgjim se s’ka shanse. S’po kuptoj asgjë, është pa logjikë me dalë jeshile në Anvers me shku deri te firma, me të kap Roterdami. O plak këtu te mu është bo puna me shtet”- Prokuroria e Posaçme

Fuqia e grupeve kriminale shqiptare dhe roli i tyre në trafikun e drogës kalon përtej Europës dhe Amerikës Latine. Ata gjithmonë e më tepër po kërkojnë të zgjerohen drejt Azisë dhe vende arabe janë një treg serioz për ta.

Ergys Dashi në një bisedë me Suel Çelën tregon se ka trafikuar drogë drejt Arabisë Saudite.

O plako leje se lamë leshtë tu hum, iku ajo në Arabi Saudite, u kap kjo, patëm bo i provë, nuk i pata thënë fare bolit unë, patëm bo i provë për në Hamburg, bom i provë dhe atje dhe u kap ajo me 192 bukë. Unë po them 4 milion e gjysëm euro për i muj asnjë lloj dalje e mire”- Prokuroria e Posaçme

Të dy kanë vazhduar komunikimet sërish me qëllim trafikun e kokainës me Ergys Dashin që siguron lëndën narkotike në Ekuador dhe Suel Çela nxjerrjen nga portet e Europës dhe shpërndarjen më pas.

Dashi tregon se bashkëpunon ngushte me zyrtarë shtetëror atje dhe ngarkesa nuk duhet të jetë më pak se 300 kilogramë pasi duhet të mbulohen shpenzimet për shkak të korrupsionit.

Megjithatë këto janë vetëm rastet e trafikut që prokuroria e posaçme ka mundur të faktojë për Suel Çelën. Askush nuk e di se sa ka qenë rastet e suksesshme dhe sa ka qenë sasia e kokainës që ka kaluar në tregun europian nga ky grup. Sky Ecc ka të dhanë për rreth dy vite dhe askush nuk mund të thotë se çfarë ka ndodhur këto tre vitet e fundit me këtë biznes të paligjshëm.

###

Pas të ardhurave që vijnë nga trafiku i kokainës të duhet territori për të bërë pastrimin e parave dhe qyteti kryesorë që zotëronte grupi i Suel Çelës ishte Elbasani.

Por një territor nuk mund të zotërohet pa pasur akses në drejtësi në mënyrë që anëtarët e grupit të jenë imun ndaj ndjekjes penale, askush më mirë se Suel Çela nuk e di këtë gjë.

Objektivi i tij është gjykata dhe prokuroria e Elbasanit, pasi për policinë folëm pak më lart dhe zyrtarë të rëndësishme të saj i kishte në xhep.

Anëtarët e grupit më anë të vajzës së saj arritën tek gjyqtarja e Elbasanit Pjatime Fetahu, e cila me anë të një telefoni të enkriptuar ka biseduar direkt më Suel Çelën.

Bieëdat mes tyre janë shumë miqësore dhe përfaqësuesja e drejtësisë arrin deri aty sa të thotë se karrigia e saj është e Suel Çelës.

Megi Fetahu i shkruan Klaus Matishit se mamasë së saj i pëlqen rreziku.

“Ia çoj po deshe, ka qejf ajo ashtu, se ça i duket rrezik” – Prokuroria e Posaçme

Kështu ndodhi Pajtime Fetahu fillon dhe bisedon me Suel Çelën, shumë ngrohtë ku gjyqtares i kërkohet të favorizojë disa njërëz të afërt të Çelës, të cilët kanë djegur një makinë në Elbasan.

Ajo e orienton atë që duhet të ndikojnë tek një rojë karburanti që të ndryshojë dëshminë pasi i kishte identifikuar se ata kishin blerë dy bidona benzinë. Gjyqtarja i jep garanci maksimale për punën që do kryej.

“Por ti mos u lodh shumë mos e vrit mendjen për këtë pjesë sepse jam unë, ti mos ki merak zëre se je ti në karrigen time”- Prokuroria e Posaçme

Pjatime Fetahu në këtë periudhë kërkon që të bëhet kryetare e gjykatës së Elbasanit por që kjo të ndodhë duhet të tërhiqet nga gara Enkelejda Kapedani.

Në biseda mes anëtarëve të grupit ata tregojnë se kanë komunikuar me Kapedanin e cila u ka thënë se ka respekt për çunat por do të vazhdojë karrierën.

Mes bisedave mes gjyqtares dhe Suel Çelës janë përmendur dhe emra të tjerë gjyqtarësh dhe prokurorësh por deri në fazë nuk janë gjetur elementë të veprës penale për ti inkriminuar.

Biseda interesante janë zhvilluar për vendimin e gjykatës së Aplit të Durrësit për Shkëlzen Hasanpapën. Ky person akuzohet për atentatin ndaj Florenc Çapjas dhe Bledar Muçës në vitin 2016 në Elbasan, të cilët u plagosën.

Hasanpapa u dënua me 10 vite burg nga gjykata e Elbasanit. Por prokuroria apeloi vendimin duke kërkuar 22 vite burg për të. Nga bisedat e zbardhura Suel Çela thotë se do kërcënojë me jetë gjyqtarët e Gjykatës së Apelit Durrës, në rast se rrisin dënimin.

“S’ka shans të rrisin dënimin, ja thashë Ben Vrionit se flet me atë gjyqtarin që është me pikëpyetje. I thashë të duket e drejtë kjo, unë se uroj thashë. Po të jetë i sigurtë ai që e çoj të rvgu, do bëj gabim shumë të madh i thashë. E fundit do ta shtrëngoj, e kapim, koburen në gojë”- Prokuroria e Posaçme

SPAk thotë se me “rvgu” Suel Çela ,i referohet avokatit Ravik Gurrës, i vrarë në Elbasan në 2019.

###

Në fund sipas prokurorisë së posaçme grupi i Suel Çelës është ndihmuar edhe nga dy gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno.

Ky i fundit sipas SPAK në disa raste kundrejt përfitimit të parregullt ka publikuar artikuj të cilët pasqyronin fakte në dëm të Ardian Çapjes dhe familjarëve të tij.

Këto lajme thotë SPAK janë promovuar nga vëllezërit Mario dhe Suel Çela, kundrejt pagesës.

Mes personave të ndryshëm të grupit flitet për pagesa ndaj gazetarit për lajme që janë publikuar në median ku ai punonte. Mbi Elton Qynon rëndon akuza e korrupsionit në sektorin privat.

Ndërsa akuza ndaj Artan Hoxhës është më e rëndë pasi dyshohet se korrupsionin në sektorin privat e ka kryer si pjesë e organizatës kriminale të Suel Çelës. SPAK dyshon se Artan Hoxha kundrejt përfitimeve nga Suel Çela ka synuar të manipulojë perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën.

Trysnia për hetime pasurore në kuadër të OFL-së dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas tij, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”.

Kjo strategji, e cila përfshin manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njëjtën kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy