
Pas një takimi të mbajtur sot me mjekët kryetari i PD-së, Lulzim Basha, thotë se do të hartojë një plan masash për menaxhimin e situatës së koronavirusit, që sipas tij është alarmante. Basha thotë se kemi numrin më të vogël të testimeve, ndërsa duhet të përgatitemi për valën e dytë të koronavirusit.
Kryetari i PD-së ndër të tjera ka bërë të ditura 11 pikat që sipas tij janë urgjente për t’u zbatuar dhe për të zgjidhur situatën.
“Shqipëria ndodhet në një situatë alarmante përsa i përket përhapjes dhe keqmenaxhimit të COVID-19.
6 muaj nga nisja e pandemisë, Shqipëria vazhdon të ketë nivelin më të ulët të testimeve dhe kapacitet më të pakta spitalore për të trajtuar të infektuarit.
Sot është jetike përqëndrimi i të gjitha resurseve financiare për të menaxhuar situatën e shpëtuar jetë njerëzish, duke ndalur abuzimet me tendera fiktiv dhe sekret, që po shërbejnë vetëm për të mbushur xhepat e një grushti njerëzish.
Së bashku me mjekë dhe eskpertë të shëndetësisë po draftojmë një plan masash emergjente për t'u përgatitur për valën e dytë, e cila sipas specialistëve nga e mbarë bota, mund të jetë dhe më e veshtirë se ajo çfarë kemi parë deri tani.
Ndërsa masat urgjente janë:
1- Fuqizimi i mjekut të familjes dhe pajisja e tij me protokolle mjekimi për pacientët që trajtohen në shtëpi.
2- Të përgatitet paketa e rimbursueshme “diagnostikim + mjekim” për pacientët që janë COVID pozitiv.
3- Investim në pajisjet laboratorike, diagnostikuese dhe trajtuese për pacientët.
4- Ngritjen e shtëpive komunitare për pacientët ambulatorë, që mund të marrin trajtimin ditor si dhe oksigjeno-terapinë. Në mungesë të tyre, të ngrihet shërbimi i kujdesit infermieror në shtëpi, i cili të paguhet nga Ministria e Shëndetësisë.
5- Rritjen e kapaciteteve testuese, minimumi me 5 herë, mesatarisht 2500 testime në ditë.
6- Rritjen e numrit të infermierëve në spitale, me qëllim rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor për pacientët e shtruar në spital.
7- Vjeshta sjell edhe sezonin e gripit stinor, që do të mbivendoset me COVID-19 dhe do ketë problemet me diagnozën diferenciale (pra përcaktimin se çfarë ka pacienti) në sfondin e testimeve me pakicë.
Kjo do të kërkojë sigurimin e vaksinës anti-grip nga kompanitë prestigjoze dhe ofrimin falas për kategoritë në rrezik (moshat e treta, fëmijët e moshës 1-18 vjeç, pacientët kronikë, etj)
8- Bashkëpunimin me vende të BE-së, Gjermaninë, Italinë por edhe me USA, për të siguruar vaksinën kundër COVID-19, një produkti cilësor, efikas dhe në kohë.
9- Testime masive dhe të rregullta të mësuesve.
10- Të sigurohen maska falas për mësuesit.
11- Maska dhe dezinfektantët për fëmijët që vinë nga familje në pamundësi ekonomike.
Deri në fund të javës bashkë me mjekët dhe anëtarët e Task Forcës së ngritur pranë PD, do të kemi gati një plan veprimi, të cilin do t’ia paraqesim qeverisë.
Në këtë situatë të rëndë, ne do të vazhdojmë të ofrojmë zgjidhje, pasi asgjë nuk ka më shumë rëndësi se jeta dhe shëndeti i qytetarëve.
Do të ketë një kohë tjetër, jo shumë të largët për përgjegjësit e abuzimit dhe keqmenaxhimit,”-shkruan Basha.



